Asnjë fatalitet dhe 135 raste të reja Covid rezultuan në vend nga 1661 testime të kryera në 24 orët e fundit. Nga sistemi “Termini im” është regjistruar një person i vdekur nga Ohri më datë 2 maj në kushte spitalore. Janë regjistruar 85 pacientë të shëruar. Numri i rasteve aktive është 621.
Përmirësimi i situatës epidemiologjike, ka bërë që Qeveria të vendosë të shfuqizojë të gjitha masat anti-Covid, përveç detyrimit për mbajtjen e maskave në transport publik dhe objektet shëndetësore. Apelohet gjithsesi vaksinim sidomos i grupmoshës mbi 80 vjeç.
“Shfuqizohen të gjitha masat ekzistuese për mbrojtje nga Covid-19, përveç mbajtjes së detyrueshme të maskave mbrojtëse në shtëpitë shëndetësore, farmacitë dhe qendrat e kujdesit për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara. Njëkohësisht qeveria e RMV-së u rekomandon shtëpive të shëndetit të intensifikojnë vaksinimin e personave të moshuar mbi 80 vjeç, për shkak të mbulimit të ulët me imunizimin e kësaj grupmoshe, si dhe vazhdimi i vaksinimit tek profesionistët shëndetësorë. Komisioni për Sëmundjet Infektive thotë se vaksinimi mbetet masa më e mirë dhe më efektive për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Edhe shumica e vendeve të rajonit kanë lehtësuar masat. Nga 1 maji, Shqipëria ka hequr kufizimet dhe tashmë për hyrje në kufi nuk kërkohet certifikatë vaksinimi, test negativ apo certifikatë për Covid të kaluar. Mbetet vetëm masa e maskave në ambiente të mbyllura. Pasaportat Covid dhe testet në kufi nuk i kërkon më as Serbia dhe Greqia. Në Kosovë ndërkohë ende kërkohen këto dokumente për kalimin e kufirit.