Studioja e njeriut të varfër: Kompjuteri Amiga që e riprogramoi muzikën moderne


I hirtë, i shëmtuar dhe me 0,0128 për qind të memories së celularit iPhone. Por, Amiga 500 i sfidoi këto kufizime duke bërë revolucion në pistat e vallëzimit, shkruan Tamlin Magee për “The Guardian”. Pjesë të shkrimit të saj, Telegrafi sjell më poshtë.

“Tërheqës si q…”! Legjenda e muzikës “jungle”, Gavin King – alias Aphrodite – kështu i ka përshkruar dikur mundësitë e basit të kompjuterit të tij shtëpiak, Amiga 1200. Disa dekada më vonë, ky kompjuter ende rri në studion e tij. Sepse, Amiga ka luajtur rol të madh në muzikën elektronike që njohim sot.

“Gjëja kryesore e linjave të basit është se kishin volum konstant”, thotë King, “kështu që kur e tërhiqje deri në volumin maksimal që mund ta shtypje në pllakën e gramafonit, kjo e bënte tërheqës si q…”

Në fillim të viteve 1990, jo të gjithë artistët që i përdornin kompjuterët e dinin këtë, por eksperimentimet e tyre do jetë jenë bazikë për skenën e muzikës elektronike që zhvillohej në vitet 1990 (hardcore, jungle, drum’n’bass) dhe do ta hapte rrugën për prodhimin masiv të muzikës nga shtëpia.

Sot kushdo me një laptop mund të bëjë muzikë, por në agun e kompjuterëve shtëpiakë, finalizimi i muzikës ishte punë e shtrenjtë. Në vitin 1985, Atari lansoi ​​kompjuterin ST që menjëherë u bë hit. Rivali Commodore e ndoqi hapin me Amiga 1000, por gjërat vërtet ndryshuan në vitin 1987 kur kompania lansoi kompjuterin ​​Amiga 500. Mund të ketë pasur vetëm 512 kilobajt memorie – 0,0128 për qind e asaj që ka një iPhone 13, por Amiga bëri transformim për shkak të tingullit stereo dhe të katër kanaleve. “Shkoi para me atë tingull basi, më shumë se çdo kompjuter i asaj kohe”, thotë Ben Vost, ish-redaktor i revistës “Amiga Format”, i cili i vlerëson edhe programet e sekuencerëve, si OctaMed, që lejonin përdoruesit t’i kompozonin ritmet e veta.

King ishte DJ deri në vitin 1990. Pikërisht atëherë, gjatë vitit të tretë në universitet kur studionte për shkenca kompjuterike, në shtëpinë e mikut hasi në Amiga. “E dua”, kujton King. “Ia dola ta blej një të tillë me paratë hua që i mora nga babai, duke kursyer e duke fituar.”

“Misioni ynë ishte të bënim muzikë dhe të ishim DJ”, thotë King. “Amiga ishte mjeti që na lejoi ta bënim këtë”.

Për Marlon Sterlingun, cilësia e tingullit të Amiga-s nuk ishte e shkëlqyeshme, por kishte “tingull të caktuar”. “Kufizimet e atëhershme të bënin më kreativ. Në atë kohë ju nevojiteshin të gjitha llojet e pajisjeve për të bërë muzikë, por vetëm duke pasur modelin e tingullit Amiga dhe OctaMed-in, mund të kishit ide të mira pa pasur nevojë që të merrni me qira ndonjë studio. Ishte studio e të varfërve, ndërsa softueri ishte falas”

Ndërkohë, producentët si Dex dhe Jonesey u futën në toplista me muzikën e bërë me Amiga, duke habitur të tjerët që përdornin kompjuterët shumë më të shtrenjtë e profesionalë, Apple. Po ashtu, ndryshe nga softuerët muzikorë si Cubase ose Logic Pro që lexojnë nga e majta në të djathtë, ekuivalentët e Amiga-s shkonin nga lart poshtë. “Për shkak se vetëm pak gjëra mund të luheshin në të njëjtën kohë e në çdo kohë, kjo të shtynte të punoje më shumë”.