Tetovarët pa ndriçim publik, pyesin Kasamin: 200 banesa nga 3 euro bëni llogari sa është e ku shkojnë ato mjete

Ky është blloku 82 në qytetin e Tetovës. Në këtë bllok ka mbi 200 banesa që janë të banueshme, por edhe nga pamjet mund të shihet se në këtë pjesë nuk ka as edhe një llambë të ndriçimit publik. Banorët para kamerës së Televizionit 21 thonë se kanë frikë të dalin jashtë nga rreziku që u kanoset nga qentë endacak, ndërsa shtojnë se hajnat janë bërë pjesë e përditshmërisë për ta tash e disa muaj.

“Problem këtu në bllokun 82 është se nuk ka asnjë shtyllë drite, është errët në mbrëmje, ka edhe qen nuk mund të hedhësh mbeturina, ka edhe hajna shumë që duan të vjedhin nga veturat këtu. Kishte edhe një shtyllë që nga NPK e dëmtuan edhe rrymë kishte do mund të vdiste ndokush.”

“Ne më konkretisht kërkojmë ndriçim pasi që paguajmë e nuk kemi asnjë lloj ndriçimi këtu, nuk është mirë për banorët. Mendoj se sa jemi në këtu ata mbledhin afër 40 mijë nga ne për ndriçim a ne ndriçim nuk kemi, pse mos kemi ne ndriçim, nëse ka firmë apo nuk ka nëse ka tender apo nuk ka neve ajo nuk na intereson, pasi paguajmë e siç thonë turqit “Ver pare, kap sumun.”

Sipas banorëve ata kanë shkuar disa herë në komunë, por nga atje u thonë se nuk kanë mjete dhe u kanë sugjeruar që ti blejnë vetë llambat nëse duan të kenë ndriçim publik.

“Ne paguajmë nga 184 denarë për ndriçim publik edhe ju e shihni se çfarë pasqyre është edhe fjala e fundit e përgjegjësit është se ju blini mjetet ne do të vijmë t’i vendosim, si t’i blejmë ne mjetet ku ne 184 denarë paguajmë çdo muaj rregullisht. Këtu ke përafërsisht 200 banesa nga 3 euro bëni llogari sa është e ku shkojnë ato mjete. E lusim zotëri Bilallin për pesë drita të vijë t’i vendose, se me e prit tenderin do të shkojnë 4 vite edhe ne nuk kërkojmë asgjë tjetër nga Bilalli, vetëm katër dita të vendosen këtu edhe të kemi ndriçim, se kemi njerëz invalid, pleq, ka qen endacak, frikohemi edhe fëmijët t’i lëshojmë edhe përgjegjësia është ajo kryesorja”

Pyetëm edhe kryetarin e komunës së Tetovës Bilall Kasamin për këtë problem të këtyre banorëve, Kasami thotë se janë në fazën e tenderimit, ndërsa problemin e quan të trashëguar.

“Edhe këtu kemi gjetur një situatë të trashëguar tani jemi në procedurat e tenderimit të rinj të operatorit privat i cili do merret me ndriçimin publik. Dua të potencoj se kemi të trashëguar një studim të fizibilitetit të më shumë se 10 viteve që çështja e ndriçimit publik të rregullohet edhe me partneritet privat”, deklaroi Bilall Kasami, kryetra i komunës së Tetovës.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike muaj më parë bëri që kryetari komunës së Tetovës të kërkojë përkrahje qeveritare me qëllim për të mbuluar harxhimet e energjisë elektrike për ndriçimin publik. Ndërsa komuna e Tetovës me 29 prill ka hapur tender në prokurimet publike për ndriçimin publik.