Shkëndija, 2 deri 10 ndeshje pezullim të stadiumit!


Skuadra e Shkëndijës në ditët në vijim do të përballet me dënim të rëndë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë, pas incidenteve që ndodhën brenda dhe jashtë stadiumit të Tetovë, në sfidën ndaj FC Shkupin, që u mbyll me barazim dhe pa gola. Sot dhe nesër do të duhet të pritet raporti përfundimtar i delegatit, komisarit dhe referëve të ndeshjes në Tetovë, pas së cilës, vendimi për ndëshkim do të merr Komisioni Disiplinor, por duke dëgjuar edhe palët e involvuar, skuadrën e Shkëndijës dhe FC Shkupit.

Në bazë të rregullores, çdo sulm ndaj arbitrit, qoftë anësor ose kryesor, organizatorin e pret dënim me pezullim të terrenit, ku është zhvilluar ndeshja. Në bazë të vlerësimit të Komisionit Disiplinor të FFM-së, dënimi mund të jetë prej 2 e deri më 10 ndeshje të zhvillimit të sfidave të ardhshme plot 100 km nga stadiumi në Tetovë.

Mirëpo dënimet nuk do të përfundojnë këtu për KF SHkëndija, sepse, në “meny”-n e dënimeve do të jenë edhe lëndimi i futbollistit të FC Shkupit në fillim të pjesës së dytë, pastaj mjetet piroteknike që janë hedhur në terren dhe që kanë shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes, si dhe thirrjet raciste, të cilat në sfidat evropiane, kanë sjell edhe dënime drakonike.

Informatat e fundit, thonë se Shkëndija pritet që të dënohet me pezullimin e stadiumit në Tetovë, ndërsa e pret edhe dënim në të holla, nga 5 mijë e deri më 10 mijë euro. Mirëpo vendimi final për këtë çështje, do të merret gjatë javës së ardhme./Mahir Thaçi