Adejemi refuzon Mançester Junajtedin për skuadrën gjermane


Ylli i kombëtares së Gjermanisë, Karim Adejemi pritet të ndërrojë mjedisin, gjatë merkatos së verës.

Anëtari i Salzburg ka marrë vëmendje të madhe nga skuadrat e mëdha evropiane dhe ka vendosur që të largohet nga Austria. ‘Sky Germany’ raporton se lojtari ka arritur tashmë në Gjermani, para se të kompletojë testet mjekësore për kalimin te Borusia Dortmundi.  Nënshkrimi dhe zyrtarizimi i marrëveshjes pritet të bëhet gjatë kësaj jave.

Sulmuesi 20 vjeçar do t’i bashkohet Dortmundit dhe këta të fundit do të paguajnë 38 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa kontrata do të jetë e vlefshme deri në vitin 2027.

Agjenti i lojtarit tha gjatë kësaj jave se ata kanë refuzuar Mançester Junajtedin për të mbyllur marrëveshje me skuadrën nga Dortmundi.