Drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj mori pjesë në përmbylljen madhështore të festivalit jubilar të 50-të “Netët operistike të majit”
Në mesin e personaliteteve të shumta nga bota akademike në foajenë e Teatrit të Operës dhe Baletit u promovua monografia “50 vite netët operistike të majit” të autorit Dr.Aleksandër Trajkovski, botim ky që përfshin historinë pesë dekadëshe të promovimit të operave më të njohura botërore pa munguar edhe shfaqje të tjera skeniko- muzikore!
Rreth monografisë përveç autorit folën edhe drejtori i operës Vasko Ristov dhe përgjegjësi i operës Dejan Proshev! Menjëherë pas këtij promovimi u dha shfaqja e famshme e Giussepe Verdit “Aida”, të cilën e sollën në skenë artistë me renome ndërkombëtare! Kostumet, maska, realizimi i roleve nga solistë të njohur nga Ballkani, masiviteti i krijuar përmes korit dhe pasioni i balerinëve bashkë me efektet skenografike sollën magjinë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit për më shumë se tre orë! Opera “Aida” ishte kompozuar me kërkesë të qeverisë së Egjiptit për hapjen e kanalit të Suezit. Në epiqendër të ngjarjes kishte luftën e faraonëve kundër Nubisë (Etiopisë), e cila zgjati disa dekada. Opera “Aida” që sjell këtë ngjarje nga Mbretëria e vjetër e Egjiptit u dha premierë në Teatrin e Operës në Kajro më 24 dhjetor 1871, ndërkaq deri më sot vepra zë vend qendror në jetën operistike, duke u shfaqur çdo vit në mbarë botën. Vetëm në Metropolitan Opera të Nju Jorkut, “Aida” është kënduar më shumë se 1100 herë që nga viti 1886. Kjo operë mbetet e veçantë edhe për faktin që bazohet në histori të vërtetë! “Aida” tregon historinë e dashurisë së ndaluar midis liderit egjiptian Radames dhe princeshës së bukur Nubiane Aida. Komploti bazohet në një histori të vërtetë të gjetur në papirus dhe të rishkruar nga egjiptologu francez Auguste Mariette. Historia sjellë momente emocionale përmes muzikës së fuqishme të Verdit. Aida- si princeshë etiopiane e mbajtur rob në Egjipt, e dashuruar me gjeneralin Radames i cili zgjidhet për të udhëhequr luftën me Etiopinë, bie në kontradiktë në mes realizimit të dashurisë me Radames dhe në anën tjetër dashurisë për vendin e saj! Realizimi muzikor nga orkestra me dirigjentin Oliver Balaburski, këndimi i solistëve në veçanti Sanja Anastasija dhe Otar Nakatzhidse bëri që publiku të jep vlerësimin maksimal përmes duartrokitjeve që shoqëruan të gjitha aktet e kësaj opere.
Kënaqësia ishte e shumëfishtë duke parë në këtë shfaqje edhe dy artistë me shumë perspektivë: balerinin Agim Baftiu dhe koristen Fjolla Iseni! Drejtori Tolaj ka ndjekur këtë shfaqje bashkë me kolegun z.Vasko Ristov dhe ambasadorin e Japonisë z. Hironori Sawada. Drejtori Tolaj përgëzoi drejtorin Ristov për këtë përmbyllje spektakolare të jubileut të 50-të të festivalit “Netët operistike të majit” që paraqet një ndër ngjarjet më të mëdha dhe të rëndësishme kulturore në vend!