Mediat në Kosovë: Atë çka Albini s’e bëri për tri javë, e bën Bujar Osmani për tri orë

Muajin që shkoi, Albin Kurti, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, qëndroi hiç më pak se 21 ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atje, i pari i Qeverisë, pati një agjendë aspak dinjitoze në aspektin politik. Ai u takua me vetëm një person të rëndësishëm: Jake Sullivan, këshilltar i Sigurisë së presidentit Biden. 3 javë, asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë e as në Departament të Shtetit.

E një lideri tjetër nga Ballkani Perëndimor, që për nga funksioni që ushtron, është më poshtë në hierarki se Kurti, u tregua më i ‘shkathtë’ politikisht se shefi i ezkekutivit kosovar.

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, iu dashtën vetëm pak orë që ta takojë shefin e diplomacisë amerikane, Anthony Blinken.

Dyert e Departamentit të Shtetit, që për Kurtin qenë hermetikisht të mbyllura gjatë tri javëve të ‘vizitës’ në ShBA, u hapën solemnisht për Osmanin.

E takimin që e realizoi me Sekretarin amerikan, Osmani e quajti si “nder të veçantë”.

“Falënderim i veçantë për Dialogun e shkëlqyer Strategjik, që po zhvillohet sot në Uashington nën patronazhin e Stejt Departamentit. Partneriteti strategjik ndërmjet dy vendeve hy në një fazë të re, më dinamike, të miqësisë, ndërkaq raportet bilaterale vendosen në një kornizë të re, më precize për zhvillimin e tyre të mëtejmë”, shkroi Osmani në Facebook.

Tutje, ai tha se SHBA-të mbështesin integrimin e shtetit që përfaqëson, duke thënë se Maqedonia e Veriut e shteti amerikan ndajnë të njëjtat vlera.

“SHBA-të mbështesin pa mëdyshje integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut si një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit. Si aleatë të NATO-s i ndajmë principet dhe vlerat bashkëkohore demokratike dhe e dënojmë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës”, shkroi tutje Osmani.

Kujtojmë që Kurti ka qëndruar 21 ditë në Amerikë. Madje ai u krenua me gjatësinë e vizitës së tij, duke u shprehur se ajo ishte më e gjatë se e çdo kryeministri tjetër.

“Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan.Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, tha tutje Kurti.

Kryeministri atje pati takime kryesisht me kompani të mëdha amerikane.

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ishte mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

Më pas, ai ka vizituar Silicon Valley, duke u takuar me përfaqësues të kompanive shumëkombëshe.

Pas këtyre takimeve, Kurti shkruante se e ka për synim ta vendosë Kosovën në hartën botërore të investimeve.

“Takimet e nisura në Silicon Valley, me synimin për të vendosur Kosovën në hartën botërore të investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit, i kemi vazhduar edhe me tri kompani të mëdha me shtrirje globale: Uber, Airbnb dhe Microsoft”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.

Për fat të keq, kryeministër Kurti nuk arriti të ketë takime të rëndësishme politike. Ai nuk u takua as me mikun e madh të Kosovës, presidentin Joe Biden. As me Sekretarin e Shtetit, z. Antony Blinken. Por as me zv. Presidenten Kamala Harris, takim që u spekulua se mund të ndodhte nga medie të caktuara në Kosovë.

Për vizitët e gjatë, Kurti u kritikua nga opozita e nga analistë të ndryshëm, të cilët e quajtën “ekskursion” qëndrimin 21 ditor të shefit të ekzekutivit.