Holanda “nokauton” Belgjikën, goditen edhe Franca e Kroacia


Belgjika ka zhgënjyer në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, pasi është mposhtur me 4-1 në shtëpi përball Holandës. Ekipi i Van Gaal zhvilloi një ndeshje në limitet e perfektes duke mos e vënë në asnjë moment në dyshim fitoren. Ishte Steven Bergëijn që prishi ekuilibrat e takimit në fundin e pjesës së parë duke i çuar shifrat në 1-0. Kur pritej reagimi i Belgjikës, Holanda ndëshkon edhe tre herë të tjera. Depay dyfishoi gjithçka ndërsa Dumfries shënoi golin që e çoi rezultatin në 3-0.

Depay ndërkohë shënoi edhe një dygolësh në këtë takim, ndërsa plotësoi edhe pokerin e Holandës. Në fundin e takimit, Mitchy Batshuayi realizoi edhe golin e nderit për Belgjikën duke vulosur rezultatin në 4-1.

Zhgënjen në ndeshjen hapëse edhe Kroacia që u mposht në shtëpi nga Austria me rezultatin e pastër 3-0. Arnautovich, Gregoritsch dhe Sabitzer shënuan golat për Austrinë, ndërsa Kroacia u duk e pafuqishme në këtë ndeshje.

Mposhtet edhe Franca në shtëpi nga Danimarka që vazhdon të bëjë paraqitje të mira. “Gjelat” kaluan të parët në avantazh me Karim Benzema, por Kornelius përmbysi gjithçka duke i dhënë kështu edhe pikët e plota Danimarkës.

Në Ligën C Kazakistani mposhti 2-0 Azerbajxhanin që drejtohet nga ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Xhianni De Biazi.

Fitore minimale edhe për Sllovakinë që mposhti 1-0 në transfertë Bjellorusinë.

Në Ligën D, Letonia fitoi në shtëpi ndaj Andorrës me rezultatin 3-0, ndërsa Moldavia mposhti në transfertë Lihtenshtejnin me rezultatin 2-0.