Ajo thënia e Xhejms Bondit, “anjëherë mos thuaj kurrë!”, si duket po bëhet shkak-pasojë e një loje “brenda oborrit” opozitar. Kush do të thoshte se do të vijë dita që Stevçe Jakimovski, do t’ia kthejë shpinën VMRO-DPMNE-së. Ai politikani që s’i thoshte “jo” LSDM-së, përveç se kur i prekej interesi i tij(ndaj dhe iku për t’u bërë kryetar komune kur LSDM-ja bojkotonte), i cili më vonë u lidh(për)jetësisht me Gruevskin koalicion pas koalicioni gjer më sot, po na rishfaqet me një rrëfim tejet interesant.
Stevçe Jakimovski është fenomen i demokracisë, i cili karrierën politike e ndërtoi mbi reputacionin personal brenda një komune(Karposh), që e bëri edhe bazë për partinë e re të tij(GROM) që me të, të jetë vazhdimisht satelit i VMRO-së së Gruevskit, në të mirën e ndërsjellë. Aq e fortë dukej kjo lidhje, sa mendohej se asnjëherë nuk do të prishet!
Por, fërkimet e fundit me Hristijan Mickovskin, është në atë stilin e sorosistëve “mjaft!(më)”. Ne e shohim atë që ka dalë në sipërfaqe, e cila shpesh dhe mund të jetë kamuflazhe, ama “mjaft’i” i Jakimovskit ndaj Hristijan Mickovskit, lë shumë pikëpyetje. Pse Jakimovski të hyjë në konflikt me liderin i cili tash i jeton ditët më të bukura të karrierës, i bindur se në zgjedhjet e ardhshme do të fitojë sa çel e mshel sytë? Nga aspekti strategjik duket shumë i diskutueshëm, sepse të largohesh nga “partia fituese”, nuk është veprim aq i urtë, apo jo? Mund të ketë shkaqe pikërisht të asaj natyre të “mjaftit”, sepse akuzat janë për reket, e në çështje reketi nuk ka masë, dhe mund të jetë derdhur dhalli mbi përshesh. Pastaj, kur raportet vijnë në shkallë shantazhimi e reketi midis partnerëve të koalicionit, aty nuk ka më perspektivë.
Pyetja është se kush mund të dalë humbës në këtë mes? Stevçeja e ka “pashallëkun” e vet, ku hiq më pak, mund të nxirren një a dy deputetë dhe ai mund të luajë në atë kartë. Tjetra është që ta ndihmojë LSDM-në me ndonjë koalicion të ardhshëm, (“asnjëherë mos thuaj kurrë!”, ë, edhe pse nuk dihet a mundet t’i ndihmojë?!), me një minus në anën e VMRO-së dhe një plus në anën e LSDM-së, janë një ndihmesë sado e vogël për këtë të dytën.
Së treti, shkaqet pse u thye kungulli opozitar, duhet të përbëjnë interes edhe për prokurorinë, sepse ku ka akuza për reket, ato duhet të shikohen, siç ishte në rastin e Boki 13-shit. Kjo lojë në oborrin opozitar, aspak s’është naive, prandaj mund të dalin në pah edhe gjëra për prokurorinë.
Presim me padurim të shohim çka do na pjellë ky rast…