Kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu sot ka marrë pjesë në shënimin e 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, bashkë me shumë personalitete të njohura nga rajoni. Ai përmes disa rreshtave ka përshkruar këtë ngjarje si madhështore duke thënë se është një shembull që kur ne shqiptarët jemi bashkë, asgjë nuk është e pamundur.
Kënaqësi që sot të jem pjesë e shënimit të 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, bashkë me përfaqësues të lartë të mbarë rajonit ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët.
Lidhja shqiptare e Prizrenit mbetet një vepër frymëzuese, në përpjekjet e mëdha të shqiptarëve për mbrojtjen e identitetit kombëtar, lirisë dhe pavarësisë. Ishte një lidhje që forcoi shqiptarët politikisht e ushtarakisht, ju dha lidership, në një periudhë kur po synohej copëtimi i trevave tona.
Në historinë e lavdishme të popullit tonë, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni e Sulejman Vokshi, do të mbeten përgjithmonë burrështetasit që unifikuan, udhëheqën dhe frymëzuan shqiptarët.
Drejtuesit e Lidhjes Shqiptare kishin qëllim të ndërtojnë unitet të plotë për të kundërshtuar copëtimin e territoreve shqiptare dhe ishin të vendosur për mbrojtjen dhe çlirimin e tyre dhe për të krijuar shtetin shqiptar në katër Vilajete.
Mbetet gjithnjë shembull që kur ne shqiptarët jemi të gjithë bashkë, asgjë nuk është e pamundur.
https://www.facebook.com/besnikemshiu/photos/pcb.191702376527746/191702293194421