“Prespa Forum Dialogue”, Grubi me porosi: Storia e suksesit zanafillën e ka tek përcaktimi për pajtim në vend me fqinjtë dhe me zero çështje të hapura
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në fjalimin e tij në konferencën “Prespa Forum Dialogue” i cili është duke u zhvilluar në RMV ka thënë se e gëzon fakti që edhe këtë vit janë rimbledhur, për të vijuar punën mbi suksesin e konferencës së parë të organizuar vitin e kaluar.
“Besoj që nga viti tjetër do ti bashkojmë forcat me Ministrinë e Jashtme dhe nëpërmjet të ribrendimit të forumit në Peace Forum Dialogue të përfshijmë në një konferencë të përbashkët edhe reflektimet mbi marrëveshjen e Ohrit, dhe me shpresë që deri atëherë do ta kemi të përmbyllur edhe marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bulgarinë”, ka thënë Grubi.
Sipas tij, kjo do ta rrumbullaksonte storien e suksesit të quajtur Maqedoni dje, Maqedoni e Veriut sot
“Storia e suksesit zanafillën e ka tek përcaktimi përfundimtar për pajtim. Pajtim në vend, brenda nesh, pajtim në rajon, me fqinjtë dhe me zero çështje të hapura me fqinjtë, pajtim në rajonin më të gjërë dhe pajtim me familjen ku përkasim, atë euroamerikane, euroatlantike. Sa po vendosëm të shtrijmë dorën e pajtimit, filluam të jetësojmë vlerat e barazisë!”, deklaroi ai.
Shtoi se me fillimin e jetësimit të vlerave dhe barazisë filluam të mos i pengojmë njëri tjetrit.
“Nuk i pengonim më njëri tjetrit të drejtën e arsimit në gjuhën amtare, nuk na pengonte më kolegu i përkatësisë tjetër etnike në vendin e punës, nuk na pengonin emrat e shkollave në gjuhën e njëri tjetrit, nuk na pengonin gjuha dhe flamuri i njëri tjetrit”, tha mes tjerash zëvendëskryeministri i parë..