Po vjen propozimi francez për veton, Shkupi dhe Sofja kërkojnë garanca nga BE-ja

Në vigjilje të Samitit të qershorit të BE-së pritet që zyrtarisht të dërgohet në Qeverinë bullgare propozimi francez për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Edhe Shkupi edhe Sofja kërkojnë garanci për zgjidhjen eventuale për heqjen e vetos. Shkupi kërkon garanci se kërkesa për përfshirje të bullgarëve në Kushtetuën e RMV-së do të jetë kërkesa e fundit bullgare sa i përket këtij problemi. Sofja, nga ana tjetër, kërkon, që BE-ja të jetë garantuese se Maqedonia e Veriut do t’i përmbushë kushtet e Bullgarisë.

Dje ambasadorja franceze në Bullgari, Florans Robin kishte takime me deputetët nga Grupi për miqësi me Francën në Parlamentin bullgar. Në takimin i cili zyrtarisht nuk ishte paralajmëruar, morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës, informon korrespondenti i MIA-s nga Sofja.

Siç transmetoi Radioja Nacionale Bullgare, pritej edhe zyrtarisht të dërgohet në Qeverinë bullgare propozimi francez për heqjen e vetos së vendosur nga Bullgaria në bisedimet për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Propozimi francez, i cili ishte dërguar te të gjitha vendet anëtare të BE-së, sipas informacioneve të publikuara jozyrtare, parasheh heqjen e vetos, ndërsa BE-ja të mbetet garantuese se Shkupi do t’i përmbushë kushtet e Sofjes.

Autoritetet nga vendi, thonë se ka vullnet politik që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën tonë, por, se ai nuk mund të hapet dhe ndryshohet për një javë, por për rreth njëqind ditë.

“Përskaj aspektit teknik, ekziston edhe aspekti politik – duhet të ketë garanci se ndryshimet ligjore janë kërkesë e fundit nga Qeveria e Bullgarisë. Kërkojmë garanci të fuqishme politike edhe nga BE-ja, jo vetëm nga Sofja, tha dje presidenti i shtetit Stevo Pendarovski duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën e përbashkët për media me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell.

Theksoi se nuk ekziston problem politik – as te pushteti, as te opozita në lidhje me vendosjen e bullgarëve që jetojnë në Maqedoni të Veriut në Kushtetutë.

“Do të thotë, ka vullnet politik për këtë. Ne vetëm kërkojmë të merret parasysh një punë politike dhe një teknike. Puna teknike është se Kushtetuta jonë, dhe kur ka vullnet politik për shumicë prej dy të tretat në Kuvend, dhe kur ka vullnet, nuk mund të zbatohet para tre, tre muaj e gjysmë. Më shpjet teknikisht nuk është e mundur. Sot të fillojmë, në mes 95 dhe 105 ditë është sipas vlerësimit të ekspertëve më të mirë kushtetues në vend”, tha Pendarovski, duke sqaruar se ka tre faza për ndryshimin e Kushtetutës, është e nevojshme debat publik dhe , siç tha, proces serioz në sqarimin e popullit përse bëhet ndryshimi.

I pyetur nëse kjo kërkesë do të përfshihet në kornizën e negociatave, a do të ishte garanci e mjaftueshme që Bullgaria të mos ketë kërkesa të tjera, Pendarovski u përgjigj se “nëse ka një formulim në kornizën e negociatave se kjo është kërkesa e fundit bullgare për këtë çështje, ne nuk kemi problem me këtë”.

“Në Ballkan ne jemi të djegur disa herë. Në mes nesh kemi pasur histori turbulente dhe shpesh retorika politike apo vetëm fjalët nuk janë të mjaftueshme. Nuk është keq të ketë diçka edhe në letër”, tha presidenti Pendarovski.

Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani në përgjigje të pyetjes nëse është i njoftuar me propozimin francez për heqjen e vetos nga ana e Bullgarisë drejt Maqedonisë së Veriut dhe a ka qëndrime konkrete, tha se së pari duhet të shohim propozim të harmonizuar nga të gjitha vendet anëtare dhe të japim përgjigje për pozicionin tonë në propozimet e tilla.

“Së pari duhet të shohim propozim të harmonizuar nga të gjitha vendet anëtare dhe të japim përgjigje për pozicionin tonë për propozimet e tilla. Ne jemi edhe në koordinim të brendshëm, pozicioni ynë është se do të komentojmë dhe do të japim qëndrimet tona pasi propozimi do të dorëzohet në mesin e vendeve anëtare ose do të komentojmë qëndrim që do të ketë mbështetje nga të gjitha vendet anëtare, mendoj se kjo është mënyra më e drejtë që të komunikojmë”, theksoi Osmani në konferencën për media në Ohër para fillimit të Forumit të Prespës për Dialog.

“Nëse Franca vlerëson se kjo situatë e brendshme në Sofje lejon që ata të vazhdojnë me hapa të tjerë që të kapet ky tren në qershor, ne duhet të jemi pjesë e këtij procesi kur do të ketë qëndrim të koordinuar nga të gjitha anëtaret e BE-së. Ne të përgatitur që t’i vazhdojmë bisedimet, por presim propozim që është i unifikuar nga të gjitha vendet anëtare”, tha Osmani.

Sipas Osmanit, nuk është inkurajuese skena politike në Bullgari, por, tha, ne e ndjekim rrugën të cilën e trason presidenca franceze.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell tha se duan dhe punojnë që ta zhbllokojnë procesin për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.

“Nuk jam sigurtëse çfarë do të ndodh në takimin e radhës të Këshillit Evropian, por do të bëjmë gjithçka për të ndërmarrë hapa vendimtar”, tha Mishell duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se çfarë përmban propozimi francezë për veton bullgare, që, siç lajmëruan mediat në Sofje, kryeministri i Bullgarisë Krilli Petkov duhej ta dorëzojë në Kuvend.

Konsiderojmë, shtoi Mishell, se do të kemi të ardhme të prosperuar me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ka frustrim dhe mosbesim nga dyja palët. Koha është të veprohet. Lufta në Ukrainë e përshpejtoi procesin. Dëshirojmë të zhbllokojmë procesin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Shumë e rëndësishme është të mbahet rritmi dhe të jesh aktiv në proces”, tha Mishell.

Ai nuk ka dashur të komentojë konkluzionet e presidencës franceze për mbledhjen e Këshillit Evropian, por ka thënë se duhet një zgjidhje.

“Shpresoj se do të arrihet marrëveshje në drejtim të duhur. Duam të ndërmjetësojmë që të gjendet zgjidhje në mesin e 27 liderëve. E përgatisim këtë takim dhe kjo nënkupton se duhet të kemi nivel të caktuar të diskrecionit që të jemi efikas”, tha Mishell.

Propozimi francez është nokaut për diplomacinë e Maqedonisë, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, duke i komentuar informacionet që publikohen në një pjesë të mediave se me atë propozim kushtet bullgare do të hynin në kornizën negociuese.

“Ky është “nokaut” klasik. Për mua nokaut më i madh është politika hipokrite. Pasi sot, përveç këtij nokauti për diplomacinë tonë që e dëgjojmë tani, jam duke e dëgjuar edhe një, do të thosha precedencë, ndërsa kjo është të shantazhohet Maqedonia, vend kandidat, ndërsa më pas të dilet me pozitë se Ukraina e meriton statusin e kandidatit. Maqedonia në vitin 1999 ishte nikoqire e mirë e qindra mijë ushtarëve të NATO-s. Kemi pasur luftë në kufirin tonë verior, askush atëherë nuk na ka thënë prej nesër jeni anëtare e NATO-s, por përkundrazi, në vitin 2008 sërish u shantazhuam ta ndryshojmë emrin, e ndryshuam kushtetutën që një ditë të jemi anëtare e NATO-s. Maqedonia pati konflikt të brendshëm, askush atëherë nuk tha që nesër jeni vend kandidat i BE-së, pritëm deri në vitin 2005. Punuam, përmbushëm reforma, të sëmurë, disa nuk na kanë pëlqyer, për të ardhur deri tek ky status i kandidatit”, theksoi Mickoski.

Franca dje duhej ta dorëzojë propozimin zyrtar për heqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut, ndërsa siç informuan më parë mediat bullgare, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov pas kësaj në Asamblenë Popullore do ta dërgojë propozimin francez për heqjen e vetos së Maqedonisë së Veriut dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.