Bilall Kasami shkarkoi në mënyrë të paligjshme drejtoreshën Teuta Llalla (Dokument)

Shkarkimi i drejtoreshës së Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviq” Teuta Lalla sipas Inspektoratit Shtetëror të Arsimit (ISHA) është bërë në kundërshtim me ligjin. Komuna thotë se rasti do të rikthehet te Këshilli i Shkollës për rishqyrtim dhe pas përfundimeve që do të dalin do të vendoset se çka më tej, shkruan Portalb.mk.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit me datë 08.06.2022 në shkollën e mesme “Kiril Pejcinoviq”, Tetovë ka kryer inspektim të jashtëzakonshëm, nga ku kanë ardhur në përfundim se:

“Drejtoresha Teuta Lalla  me propozim të këshillit të shkollës është shkarkuar nga kryetari i komunës, në kundërshtim me nenin 93-b të Ligjit për arsim të mesëm.”

Më poshtë mund të shihni dokumentin e plotë i cili është adresuar te Teuta Lalla:

Për parregullsitë e konstatuara nga inspektimi plotësues i kryer do të njoftohet kryetari i Komunës së Tetovës dhe do të udhëzohet që të veprojë në përputhje me kompetencat e tij ligjore.

Nga Komuna e Tetovës  thonë se e kanë pranuar aktvendimin dhe se më tej do veprohet në bazë të procedurave sipas Ligjit për arsim të mesëm.

“Në bazë të Aktvendimit të Komisionit Shtetëror për vendosje në procedurë administrative dhe procedurë punësimi në shkallë të dytë, ku kërkohet që lënda të kthehet në rishikim në shkallën e parë, konkretisht lënda duhet të rikthehet deri te këshilli i SHMK “Kiril Pejçinoviq”. Komuna e Tetovës të njëjtin aktvendim e ka pranuar më datë 17.06.2022 dhe i njëjti do të dorëzohet deri te këshilli i SHMK “Kiril Pejçinoviq”, të cilët do të duhet të veprojnë në bazë të nenit 93 b paragrafi 1,2,3 dhe 4 të Ligjit për Arsim të Mesëm. Pas realizimit të përsëritjes së procedurës nga ana e Këshillit të SHMK Kiril Pejçinoviq dhe pas rekomandimeve që do të japë këshilli i shkollës, kryetari i Komunës së Tetovës do të veprojë në përputhje të plotë me Ligjin për Arsim të Mesëm”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Më poshtë mund të shihet propozimi i këshillit të shkollës për shkarkimin e drejtoreshës dhe dokumentacioni  revizionit të brendshëm të komunës, të cilin Portalb.mk e siguroi nga Komuna e Tetovës përmes Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik.

Lalla u shkarkua me 12 maj nga posti i drejtoreshës për keqpërdorime financiare, lëshime në procedura tenderimi dhe procedura të tjera. Kjo erdhi një ditë pasi këshilli i shkollës shqyrtoi raportin e revizionit dhe solli rekomandimin për kryetarin e komunës. Ajo mohoi konstatimet e revizionit dhe tha se shkarkimi është bërë me prapavija politike. Në vend të saj si ushtruese detyre u emërua profesoresha Hatije Azizi- Etemi, e cila është anëtare e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa dhe ish-këshilltare komunale. Paraprakisht, kishte akuza se Llallës nga Komuna i është kërkuar të jep dorrëheqje, por komuna mohoi diçka të tillë.