President i PSZH-së, në qendër të skandalit për korrupsion


Presidenti i PSZH-së, Naser Al-Khelaifi, është akuzuar nga një gjykatë federale zviceriane për korrupsion në çmimin e të drejtave televizive të Kupës së Botës.

Al Khelaifi, i cili është gjithashtu president i transmetuesit “beIN Media” në pronësi të Katarit, u akuzua për nxitjen e ish-sekretarit të FIFA-s, Xherom Valke për të kryer “keqmenaxhim të rënduar kriminal”. Francezi akuzohet se i ka transferuar në “beIN Media” të drejtat e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut për Kupat e Botës 2026 dhe 2030, në këmbim të “përfitimeve të pajustifikuara” nga Al Khelaifi.

Sipas aktakuzës, rasti i referohet një takimi më 24 tetor 2013, në selinë franceze të “beIN” kur Al Khaleaifi premtoi se do të blinte një vilë në Sardenjë për pesë milionë euro, duke i dhënë përdorimin ekskluziv Valkes. Më pas, Al Khelaifi do t’ia dorëzonte pronësinë francezëve dy vjet më vonë, në kushte të caktuara. Presidenti i PSZH-së gjithmonë ka mohuar se ka blerë pronën në fjalë dhe ia ka premtuar Valke-s.

Në këmbim, tha prokuroria, Valke u zotua të “bëntë atë që ishte në fuqinë e tij” për të siguruar që “beIN” të bëhej transmetuesi rajonal për dy Kupat e Botës, gjë që ndodhi më 29 prill 2014, pasi transmetuesi fitoi të drejtat për atë zonë, një marrëveshje që FIFA nuk e ka kundërshtuar kurrë që atëherë.