Policia e Kosovës, të premten ka shkatërruar pajisje të përpunimit të substancave narkotike me vlerë rreth 250 mijë euro.
Laboratori i shkatërruar nga Policia e Kosovës, gjendej në Leshak të Leposaviqit, ku kishte pajisje të montuara dhe të gatshme për përdorim të përpunimit të substancave narkotike.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se nga ky laborator sipas tij kuptohet se pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë.
“Çdo ditë e më shumë po e kuptojmë pse qarqe të caktuara nuk dëshirojnë shtrirjen e sundimit të ligjit dhe rendit në tërë Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla, duke i përgëzuar njësitë e Policisë së Kosovës, ka shtuar se nuk do të ndalen së zbatuari misionin e tyre për ata që nuk zbatojnë ligjin.