Kosovarët të interesuar për pasaportën e Shqipërisë, dyfishohen kërkesat

Zëvendësministri i Punëve të Brendshëm të Shqipërisë, Andi Mahila, ka treguar statistika për mediumin TV Klan,  ku ka thënë se “Ka një rritje të kërkesave për fitimin e shtetësisë shqiptare. Nga 2019 ku kemi pasur 485 kërkesa aplikime për përfitimin e shtetësisë shqiptare, në 2022 deri tani kemi 834 kërkesa. Pra kemi një dyfishim të numrit të kërkesave të shtetasve të huaj për fitimin e shtetësisë shqiptare”.

Sipas tij, kosovarët janë të parët që dëshirojnë të pajisen me nënshtetësinë shqiptare, ndërsa pasohen nga turqit, të cilët gjithashtu duan pasaportën e Shqipërisë.

“Shtetas të shteteve të tjerë që kërkojnë nënshtetësinë shqiptare janë ata që janë martuar me shtetas shqiptar, në numër të paktë janë shtetas të BE që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Shqipëri” ka treguar Mihila.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshëm i Shqipërisë, Andi Mahila

Ai ka shpjeguar dhe ligjin për shtetësinë, ku ka thënë se “ligji iu ka dhënë mundësinë përfitimit të shtetësisë shqiptare edhe me origjinë. Pra ata shtetas, prindërit e të cilëve kanë qenë me shtetësinë shqiptare, sot marrin me një procedurë më të thjeshtë shtetësinë shqiptare”.

Tutje, ai ka dhënë detaje se sa vite duhet të qëndrosh në Shqipëri për t’u pajisur më nënshtetësinë shqiptare.

Shtatë vjet i duhen një shtetasi të huaj të qëndrojë në Shqipëri, pa u shkëputur, që të marrë nënshtetësinë shqiptare. Përveç kësaj, ka një mënyrë tjetër që të zvogëlohet koha e pritjeve, dhe ajo është kur ndodh një martesë me një shtetas ose shtetase shqiptare. Në këtë rast, ai ose ajo duhet të qëndrojë 3 vjet në Shqipëri, në mënyre qe t’i ofrohet mundësia që të aplikojë për nënshtetësinë shqiptare