Kristian Eriksen ka pranuar verbalisht të nënshkruajë me Man. Junajtedin këtë verë. Mediat në Angli raportojnë se mesfushori danez kishte ofertat nga Totenhami, Brentfordi dhe Man. Junajtedi në tavolinë, por tani ka zgjedhur këta të fundit, ku do të punojë nën drejtimin e trajnerit të ri, Erik ten Hag.
Sipas “The Athletic”, Eriksen iu ka thënë drejtuesve të Man. Junajted se dëshiron të luajë për ta dhe është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen 3-vjeçare që ata i kanë vënë në tryezë. Transferimi do të bëhet pas mbylljes së detajeve finale të kontratës dhe pas ekzaminimit mjekësor, që duhet të rezultojë i suksesshëm.
Mbasi u kthye në gjendje optimale fizike pas arrestit dramatik kardiak në fushën e lojës, gjatë ndeshjes së “Euro 2020”, Eriksen kishte nënshkruar një marrëveshje afatshkurtër me Brentford, në janar, dhe kishte impresionuar në 11 paraqitjet e tij. Ai është në linjë për t’u bërë përforcimi i dytë i “Djajve të Kuq”, gjatë kësaj vere, pas mbrojtësit të majtë të Fejnordit, Tyrell Malacia.