Britania e Madhe vendos sanksione të reja ndaj Bjellorusisë

Sipas njoftimit të Zyrës së Jashtme, FCDO, të Mbretërisë së Bashkuar, ditën e hënë, sanksionet e reja ekonomike, tregtare dhe të trasportit do të ndalojnë importin e hekurit dhe çelikut bjellorus.

Ndërkohë ndalohet eksporti i mallrave të rafinimit të naftës, komponentëve teknologjikë të avancuar si dhe produkteve luksoze.

Këto sanksione do të hyjnë në fuqi që në ditën e martë të cilat do të ndalojnë kompanitë bjelloruse të lëshojnë borxhe dhe letra me vlerë në Londër, sipas FCDO.

“Regjimi i Bjellorusisë ka lehtësuar në mënyrë aktive pushtimin e Putinit, duke e lënë Rusinë të përdorë territorin e saj për të mposhtur Ukrainën, duke lëshuar trupa dhe raketa nga kufiri i tyre dhe duke fluturuar avionë rusë përmes hapësirës së tyre ajrore”, thuhet në deklaratën e FCDO.

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko gjithashtu ka mbështetur hapur narrativën e Kremlinit, duke pretenduar se Kievi po ‘provokonte Rusinë’ për të justifikuar pushtimin e përgjakshëm të Putinit, shtoi ai.

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko

Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur më parë tarifa për një sërë mallrash bjelloruse dhe sanksionoi disa qytetarë dhe kompani bjelloruse.