Ditën me Rifat Jasharin, natën me Levicën dhe Apasievin

Politika e Bilall Kasamit i ngjan urës së shenjtë që ndërtohej ditën dhe prishej natën sepse kishte një mallkim.

Njeriu parti, emërtim më i saktë që do ti shkonte Kasamit sepse çdo gjë kontrollohet nga ai, prej kohësh tashmë po luan “të madhin” e politikës mes dy gjërash, por që askush nuk e kupton nëse është një patriot i madh ose vetëm një politikan që manipulon turmën në mënyrë thuajse të hapur,  por që loja e tij po zbulohet sepse ai vetë po e tregon paaftësinë për të udhëhequr.

Në këtë lojë të dyzuar të tij, ditën ai bën patriotin duke u fotografuar me figura të mëdha që vërtetë i kanë dhënë kombit shumë,  por sa bie nata, larg opinionit publik, në fshehtësi të skajshme ai shkon në strofkën e partive maqedonase duke fashitur “patriotizmin “e tij të ndërtuar ditën sa për sy e faqe, sa për tua larë kokën shqiptarëve.

Me një fjalë Bilall Kasami bën lojën e dyfishtë mes ” kauzës” shqiptare dhe interesit të tij politiko-partiak përmes takimeve me liderët nacionalistë maqedonas që janë kundër shqiptarëve dhe po e tregojnë haptazi atë orientim antishqiptarë dhe antievropian.

Kreu i Komunës së Tetovës Kasami që mendon se edhe në pushtetin lokal është opozitë, pritet ta shpallë Rifat Jasharin qytetar nderi në Tetovë. Një figurë si Baca Rifat natyrisht se meriton çdo gjë, por jo një titull që ai e merr përmes një “patrioti” të rrejshëm i cili dje bënte koalicion shqiptaro-maqedonas të përbashkët me një parti maqedonase në mënyrë direkte që se kishte bërë askush më parë ndërsa sot “kursi” i tij politik ka ndryshuar nga multietnik në “nacionalist” që nuk është se e bën për diçka tjetër por vetëm për pushtet, në një manipulim të hapur përmes një fushate për Këshillin Komunal që po rrëshqet nga duart dhe fitorja thuajse është e pamundur të ndodhë.

 

Në suaza të këtij patriotizmi të rrejshëm Bilall Kasami po ashtu mundohet të mbulojë dështimet e tij të mëdha sidomos në qytetin kryesorë të shqiptarëve  në Tetovë.

Kasami nuk u shpjegon qytetarëve se përse është kaq i paaftë të bëj diçka më shumë për mirëqenien e qytetarëve, por përmes akteve të tilla “patriotike” përmes figurave të pastra të kombit, të përfitojë politikisht.

Ata që nuk kanë bërë asgjë për kombin, ata nuk kanë të drejtë edhe të gjykojnë dhe Bilall Kasami nuk është se ka bërë diçka madhështore për kombin e tij përveç një koalicioni direkt me një parti maqedonase si askush tjetër më herët dhe sot hakmarrjen e tij pse nuk është më pjesë e qeverisë me partinë që ia fitoi katër deputetë, mundohet ta mbulojë me veprime prej patrioti dhe po del blof.

Baca Rifat meriton të jetë më shumë se qytetar nderi në Tetovë, por ai që ia jep këtë titull ditën takohet me të ndërsa natën me Levicën dhe Apasievin këtë pro rus të dëshmuar tashmë.

Bilall Kasami do që ti mbajë në një sqetull dy shalqinj, por kjo është e pamundur. Ai është i dyzuar përmes takimeve të hapura me patriotët shqiptarë dhe takimesh sekrete prapa kuintave me liderë anti shqiptarë dhe anti perëndimorë. Kjo lojë e Bilall Kasamit tashmë është diktuar dhe qytetarët e Tetovës të cilët ai i udhëheq e shohin secilën ditë se sa keq e ka katandisur qytetin e tyre dhe kur është patriot e kur takohet me antiperenidmorët dhe antiamerikanët.

Baca Rifat ndoshta nuk e di, se sikur të dij se Bilalli natën takohet me liderët maqedonas që janë kundër BE-së, NATOS, dhe SHBA-së ndoshta do ta refuzojë një titull nga Kasami, por do ta merr nga tetovarët.