Në kampin opozitar nuk zhvillohet vetëm gara me pushtetin, por dhe një garë e fshehur e perfide “brenda llojit” se kush do të marrë primatin!
Nëse nisemi nga gjendja momentale, sigurisht i bie që lideri i VMRO-së të jetë hedhësi i valles, por si zhvillohen protestat gjithnjë e më tepër, sikur lideri i Levicës po ia merr krahun. Sepse, dhuna dhe vandalizmat i shkojnë një partie të ekstremit të majtë (për ekstremin tjetër, nacionalizmin e shovinizmin, s’diskutohet fare), që në platforma diku i kanë revolucionet e njohura, me përmbysje të mëdha pushtetesh e sistemesh, prej shumicës së të cilave njerëzimi pa vetëm sherr.
Paralajmërimet dhe njohuritë paraprake të institucioneve për radikalizim edhe më të madh, sigurisht do ta venë në hall edhe më të madh edhe liderin e VMRO-së: të përqendrohet në akuzat ndaj gjoja tradhtisë së qeverisë me gatishmërinë për të pranuar propozimin francez, që është një metodë e pranuar politike, apo të vazhdojë vallen që tash gjithnjë e më shumë në formë të dhunshme që po i jep “gas” Levica?!
Kjo dilemë është qenësore për një parti parlamentare, të cilën pikërisht dhuna e largoi nga pushteti. Shumë aktivistë të saj për shkak të dhunës vuajnë dënime me burg, e disa ende gjykohen. Nga ana tjetër sytë e BE-së dhe Amerikës e vëzhgojnë situatën te ne me shumë vëmendje dhe shënojnë fare mirë si sillen aktorët politikë. Sjelljen e papërgjegjshme, duke iu kthyer metodave të dhunës, asnjë organizëm ndërkombëtar nuk do ta përkrahte, sidomos jo te një parti e madhe. Edhe më keq nëse këto veprime, rrezikojnë kursin e deklaruar euroatlantik.
Është pra, momenti i fundit që Mickovski të përcaktohet nëse në aktivizmin politik të tij do të diktojë metoda të pranueshme demokratike, apo siç shkojnë punët, do të bëjë garë me Apasievin cili të jetë më radikal, ose edhe më keq, ose duke mos pasur forcë ta distancojë atë, të bëhet “bisht balloni” i aktiviteteve të dhunshme që i konvenojnë Apasievit për të forcuar “imazhin patriotik” dhe për të rritur elektoratin e Levicës!