Radoiçiq në Kosovë, fletarresti ndaj tij ende aktiv

Fletarresti ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiq, është aktiv dhe i shpërndarë në të gjitha pikat kufitare të Kosovës.

Kështu ka thënë për Portali Dukagjini, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Rasim Maloku, teksa ka shprehur dyshime për kohën e realizimit të video-mesazhit të Radoiçiqit.

“Nuk e dimë se a është e vërtetë se ku është bërë ai video-mesazh. Mundet të jetë ndonjë provokim për qëllime politike. Ai ka fletarrest aktiv për rastin “Brezovica”. Ai dyshohet për ndërhyrje në dëshmitarë, ka tentuar t’i frikësojë që të mos dëshmojnë. Ky fletarrest është i shpërndarë në të gjitha pikat kufitare”, ka thënë Maloku.

Radoiçiq, përmes një video-mesazhi drejtuar publikut, nga rrethina e Leposaviqit, që është një nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kishte thënë se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.

“Popullit tim në veri dhe të gjithë serbëve, dua vetëm t’iu them, por edhe atyre të tjerëve, këtu jam, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Sepse nga këtu nuk ka kthim”, ka thënë Radoiçiq.

Ndryshe, ai kishte mohuar të ketë lidhje me akuzat lidhur me rastin “Brezovica”, duke thënë se “e dinë mirë edhe ata që e kanë udhëruar këtë përndjekje politike por edhe ata që e bëjnë këtë”.

“Nëse dikush në Kosovë, qoftë nga institucionet apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, mendon se me akuza të tilla, të rreme, mund të më dëbojë nga Kosova përgjithmonë, apo të më ndajë nga bashkëkombësit e mi, gabon rëndë”, thuhej në deklaratën e Radoiçiqit, e cila ishte publikuar nga Lista Serbe.

Inspektorati Policor i Kosovës kishte njoftuar se gjatë mbrëmjes së tre shkurtit, Radoiçiq ishte paraqitur në pikën kufitare në Bërnjak.

Aty kishte rezultuar se është një person në kërkim.

Ai kishte drejtuar veturën e tij mbrapa në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur te zyrtarët policorë, në atë vendkalim kufitar.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitarë kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhej në komunikatën e policisë.

Sipas njoftimit, thuhet se zyrtarët policorë nuk kanë arritur ta ndalojnë automjetin.

Komunikata e Policisë së Kosovës

Reagimi i Listës Serbe

Sipas Listës Serbe, përpjekja për të arrestuar Milan Radoiçiqin “paraqet persekutim të përfaqësuesve politikë serbë, të cilin Prishtina nuk mund ta kontrollojë”.

“Për hir të së vërtetës, theksojmë se në bazë të informacioneve që disponojmë, kërkesa për arrestimin e Radoiçiqit nuk përmban asnjë provë apo ndonjë veprim të kundërligjshëm që ai ka bërë, por në përgjithësi flet për një rast të iniciuar në lidhje me dhënien e lejeve për ndërtimet në komunën e Shtërpcës, me të cilat Radoiçiq nuk ka të bëjë”, thuhej në deklaratën e Listës Serbe.

Kush ishin të arrestuarit e tjerë për rastin “Brezovica”?

Një aksion ishte zhvilluar edhe të enjten e tre marsit, ku u arrestuan shtatë persona. Kjo, nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e Brezovicës.

Kështu pati njoftuar Prokuroria Themelore në Ferizaj me anë të një komunikate për media, ku thuhej se ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme në katër qytete si, Ferizaj, Prishtinë, Skenderaj dhe Lipjan.

“Deri më tani janë arrestuar shtatë persona, tre prej tyre ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronarë të kompanive ndërtimore, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit”, thuhej në komunikatë.

Ndërkohë, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica” e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona.

Disa objekte në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

Lidhur me rastin, është arrestuar edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliç.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte deklaruar se Nikolliç, kishte përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Për këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.

Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliç, nga radhët e Listës Serbe.

Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.

Përveç Nikoliç, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.

Ilustrim

Pos aksionit të parë, lidhur me rastin “Brezovica”, janë zhvilluar edhe aksione të tjera nga të cilat kanë përfunduar edhe me dhjetëra persona të tjerë të arrestuar nga Policia e Kosovës.

Rastet e tjera të Radoiçiqit

I dyshuar se ishte i përfshirë edhe në vrasjen e politianit serb, Oliver Ivanoviq, ndaj nënkryetarit të Listës serbe ishte ngritur edhe një fletarrest, i cili ishte tërhequr pa shpjegim në mars të vitit 2021.

Politikani serb, Oliver Ivanoviç, dhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq

Radoiçiq gjendet edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën dyshimet se bashkë me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Ndaj tij dhe Veselinoviqit ishte ngritur aktakuzë për përvetësimin e 32 kamionëve të kompanisë Hypo Alpe Adria Leasing.

Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq

Aktakuza ishte ngritur nga Gjykata Speciale në Beograd. Por të njëjtit ishin liruar nga akuza në vitin 2016.