Si pasojë e pandemisë, janë grumbulluar borxhe të tatimit në pronë në disa komuna të Kosovës

Tatimi në pronë është tatim vjetor, të cilën e vendosë komuna.

Tatimi në pronë është i aplikueshëm për të gjitha pronat, qofshin ato të paluajtshme mbi tokësore ose nëntokësore.

Të gjitha të hyrat që vijnë nga tatimi në pronë arkëtohen nga vetë komuna dhe me ato mjete synohet të përmirësohet jeta e qytetarëve përmes investimeve rrugore, ndërtimin e shkollave, pastaj renovimin ose rindërtimin e ambulancave mjekësore, investime në mbrojtjen e mjedisit jetësor, e shumë aspekte të tjera që janë me interes të qytetarëve.

Në komunën e Prishtinës, është shkaktuar ulje e pagesës për tatim në pronë krahasuar me vitet e mëparshme, sipas përgjigjes nga Drejtoria e Financave, Sektori për Tatim në Pronë për portalin Dukagjini.

Arlinda Kastrati, nga Zyra për Komunikim Publik në komunën e Prishtinës ka treguar se cilët janë shkaktarët e uljes së të hyrave në pagesë për tatimin në pronë.

Komuna e Prishtinës

“Sa i përket uljes së pagesës për tatim në pronë, në krahasim me vitet e mëhershme, kemi shkaktarë të ndryshëm e që disa prej tyre janë, gjendja ekonomike e qytetarëve, heqja e kushtëzimit të pagesës për tatim në pronë për taksën rrugore” ka thënë Kastrati.

Sa i përket vitit 2022, Kastrati, ka theksuar se në gjashtë mujorin e parë, të hyrat e realizuara për tatim në pronë, nga Komuna e Prishtinës nga 1 Janar deri më 30 Qershor 2022 kanë arritur deri në 47.49%.

Zëdhënësi për Informim nga Komuna e Fushë Kosovës, Ali Topalli, ka deklaruar se viti 2021 ka qenë vit rekord për pagesën e tatimit për pronë.

Ndërsa, për vitin 2022, Topalli, ka thënë se ka rënie krahasuar me vitin e kaluar pasi sipas tij  arsyeja e vetme është heqja e kushtëzimit për regjistrim të veturave, për qytetarët e Kosovës.

“Pagesat e qytetarëve në këtë vit ka një rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pasi që është hequr kushtëzimi për regjistrim të veturave”, ka deklaruar ai për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, Komuna e Obiliqit, zyrtarja nga Drejtoria për Ekonomi dhe Financa, Zarife Behluli, ka deklaruar se që nga fillimi i pandemisë COVID-19 nuk ka pasur shuma të mëdha të tatimit për pronë, e që tani viti 2022 ka filluar me ngritje në mbledhjen e pagesave dhe borxheve në tatimin për pronë.

Komuna e Obiliqit

Nga Komuna e Obiliqit është vërejtur dallim i madh para dhe mbas pandemisë COVID-19, pasi para pandemisë qytetarët e Obiliqit kanë paguar më shumë tatim se sa gjatë pandemisë, dhe mbas saj.

Në vitin 2019 pagesat e tatimit në pronë kanë qenë 485 mijë e 616 euro e 44, në vitin 2020 kanë qenë 362 mijë e 266 e 65, ndërsa, në vitin 2021 pagesat kanë qenë 373 mijë e 705 euro e 43.

Por, në vitin 2022 pagesat e qytetarëve nga tatimet në pronë, janë 259 mijë e 286 euro e 34.

Nga kjo shumë, e cila është vetëm përgjatë gjashtë muajve, krahasuar me vitin 2020, të hyrat e tatimit për pronë nga qytetarët e Komunës së Obiliqit, janë më pak, vetëm për mbi 100 mijë euro.

Hasani: Pandemia ka ndikuar në grumbullimin e borxheve në tatimin për pronë

Komuna e Vushtrrisë inkason të hyra tatimore nga tatimi në pronë-objekte të cilat në vitin 2021, kanë qenë 817 mijë e 511 euro e 45 dhe të hyra nga toka në vlerë 77 mijë e 937 euro e 38.

Komuna e Vushtrrisë

Ndërsa totali i të hyrave vetanake ka qenë 895 mijë e 448 euro e 83.

Sa i përket vitit 2022, Qemajl Hasani, zyrtar nga Komuna e Vushtrrisë, ka thënë për Portalin Dukagjini se në gjashtë mujorin e parë, pagesat e tatimit në pronë janë arritur të  inkasohen në 96.63%.

Sipas Hasanit, sa i përket kushtëzimit të regjistrimit të automjetit me certifikatë të TP, ai ka thënë se në këtë komunë nuk aplikohet ky kriter.

Ai ka thënë ndër të tjera se pas pandemisë, falë angazhimit të komunës për informimin e qytetarëve, ka pasur ngritje në mbledhjen e pagesave dhe borxheve në tatimin për pronë.

Ai ka thënë se kjo ngritje është rreth 9%, per gjashtë mujorin e parë.