Filmi për gjenocidin e Srebrenicës është i padëshiruar në Serbi!

-“Nuk besoj se një shoqëri ku vlerës pozitive të jesh kriminel, vrasës,…krijon njerëz të lumtur…Sa i përket shfaqjes së filmit në RTS, mendoj se do të ishte mirë për qytetarët…Do të ishte turp që në Serbi të mos shfaqet filmi më i mirë evropian…”-ka deklaruar kohë më parë regjisorja Jasmila Zhbaniq

Filmi më i mirë evropian për vitin 2021,”Quo vadis, Aida?” i regjisores boshnjake, edhe pse në luajnë aktorë serbë, mbetet i padëshiruar në Serbi. Për peripecitë e filmit për t’u shfaqur në Serbi, ka shkruar edhe publicisti Daut Dauti në dy vazhdimet e kolumnës së tij botuar në gazetën “Koha”. Përkundër përpjekjeve të pasuksesshme deri tash, regjisorja nuk heq dorë për ta shfaqur në Beograd pikërisht më 11 korrik, kur shënohet dita e gjenocidit të Srebrenicës. “Mendoj se filmi dhe tema e meritojnë dhe është koha që njerëzit të shohin se çka ka ndodhur”, ka thënë regjisorja për shtypin serb. Është dëshpërues për të fakti që asgjë s’është ndërruar në disponimin e serbëve, madje kësaj radhe gjendja është më e keqe se atëherë kur është shfaqur “Gërbavica”, filmi për dhunimet e luftës (2006). Aktori shqiptar, që poashtu luan rolin e përkthyesit, Alban Ukaj, ka thënë se dëshiron që filmi të shfaqet në çdo qytet të Serbisë dhe Republikës serbe dhe shpreson se një ditë, dikush do të jetë mjaftueshëm i fortë dhe i sinqertë dhe të thotë se ka ardhur çasti që në RTV-në e Serbisë të shfaqet.
“Bota serbe” nuk mendon si Alban Ukaj apo regjisorja Jasmila Zhbaniq. Historia përsëritet njësoj si me Mirjana Karanoviqin te “Gërbaica”, sepse përveç kritikave ndaj filmit, në mediat serbe dhe rrjetet sociale janë fyer dhe kërcënuar edhe dy aktorët kryesorë, Jasna Gjuriçiq dhe Boris Isakoviq, që kanë luajtur në të.
Ky film, me gjithë pengesat, të paktën është shfaqur në Srebrenicë para të rinjve serbë, ku regjisorja ka zhvilluar një debat pas shfaqjes, dhe këto janë përshtypjet e saj, që kanë të bëjnë me efektin social: “Njëri nga të parët që u paraqit të flasë, ishte një i ri nga RS-ja, i cili tha se ka qarë gjatë gjithë filmit. Për mua ky ishte çast madhor, sepse ai i ri sigurisht është rritur në sistemin me narracionin se Srebrenica nuk ka ndodhur!”
Qarqet nacionaliste serbe jo vetëm që kanë qenë kundër shfaqjes, por dhe kanë kërkuar ndalimin e filmit, sepse sipas Sheshelit të dënuar për krime lufte, “nuk mund të shfaqet në RTS, sepse ai është film propagandues antiserb”. Ka dhe të tjerë të krisur, si një historian i vetëquajtur kroat(apo nga Kroacia), Goran Shariq, të cilit i kanë dhënë hapësirë mediat serbe, pasi a paska parapëlqyer një film tjetër me titull “Quo vadis, Naser”, duke aluduar se Srebrenicës i paskan paraprirë masakrat e komandantit boshnjak Naser Oriq, i cili në fund e ka braktisur! Çka t’i thuash kësaj logjike!
Instituti për Çështje Evropiane nga Beogradi, kohë më parë ka thënë se të gjitha temat që flasin për përgjegjësinë politike në Serbi janë të padëshiruara. Të tilla janë “Quo Vadis, Aida?” dhe ”Serbia dhe NATO: kohë për pajtim”. Ky institut mendon se për shfaqjen e “Aidës” në RTS nuk vendosin Zhbaniq dhe presidenti Vuçiq, por diçka tjetër: Ekziston një interesim i qytetarëve për ta parë filmin, ndaj i apelojnë RTS-së për ta blerë të drejtën e emetimit të këtij filmi të shpërblyer ndërkombëtarisht, i cili në mikro-plan shpërfaq të keqen që si shoqëri e ka përjetuar viteve 90-të. Sepse, filmi sipas institutit, mund të hapë dyert e dialogut në shoqërinë serbe dhe të jetë vërejtje që një krim i tillë, gjenocidi i Srebrenicës, të mos përsëritet.
Me gjithë rezistencat, filmi aty-këtu arrin të “pushtojë” ndonjë kënd të vogël të Serbisë. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar ishte shfaqur para qytetarëve të kombësisë boshnjake të Novi Pazarit, kurse në qershor të këtij vitit qe shfaqur në Festivalin Autonom të Grave në Novi Sad, atje ku më lirshëm merr frymë një mendjehapësi e nxitur në masë të madhe edhe nga veprimtaria politike e Ligës Socialdemokrate të Vojvodinës të Nenad Çanakut, duke u distancuar me kohë nga çdo të keqe që kanë bërë regjimet serbe në territorin e ish-Jugosllavisë.
E pyetur se a e shqetëson fakti se në Beograd, ku dëshiron ta shfaqë filmin e saj, ekziston një mural me fytyrat e kriminelëve të luftës, Jasmina Zhbaniq, është përgjigjur: “Nuk besoj se një shoqëri ku vlerës pozitive të jesh kriminel, vrasës,…krijon njerëz të lumtur…Sa i përket shfaqjes së filmit në RTS, mendoj se do të ishte mirë për qytetarët…Do të ishte turp që në Serbi të mos shfaqet filmi më i mirë evropian…”
Mirëpo, shoqëria serbe, e ngopur mjaft me mite dhe legjenda, ende jeton në të kaluarën. Ajo nuk dëshiron të ballafaqohet me pjesët e errëta të bëmave serbe, ndaj i kthehet atij imazhi të viktimës që ia ka dhënë vetes që nga Beteja e Kosovës, e rrugës, duke pasur dhe ndonjë ngjarje të njëmendtë, siç është gjenocidi i Shtetit të Paveliqit ndaj serbëve në Jasenovc. Pikërisht në kohën e nominimeve për çmimin Oskar, konkurrente Srebrenicës (“Quo Vadis Aida”), i bënte konkurrencë Jasenovci (“Dara nga Jasenovci”) nga një regjisor serb. Kësaj radhe fitoi Srebrenica, se filmi serb nuk u nominua, por kjo nuk e ndryshon qëndrimin ndaj viktimave. “Jasenoci dhe Srebrenica, nuk janë tema kontestimesh ose garë, por të respektimit të thellë ndaj viktimave dhe vërejtje serioze për atë se çfarë krimesh mund të bëjnë njerëzit. Vetëm idioti mund të mos bashkëndjejë me viktimat e Jasenovcit”, është shprehur Jasmina Zhbaniq, e cila ka thënë se filmat për Jasnovcin ose për Srebrenicën, duhet të jenë pjesë e programeve shkollore në Kroaci, BeH dhe Serbi,që t’ua përkujtojë fëmijëve gjithnjë se çfarë kanë qenë të gatshëm gjyshërit e tyre t’i bëjnë njëri tjetrit. Kurse “Aida” duhet të shfaqet në shkolla të mesme, që ta thyejë mitin e trimërisë serbe dhe gjithë asaj mitologjie patriarkale.
Askush nuk mund ta parashikojë si do të përfundojë kjo betejë e regjisores dhe producentëve për ta shfaqur këtë film në Serbi pikërisht më 11 korrik, që është shpallur ditë që Parlamenti Evropian në vitin 2009 e kishte shpallur Ditën e Gjenocidit të Srebrenicës? Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më të forta janë përpjekjet e “botës serbe” ta relativizojë atë si një episod “normal” i luftës që ka pasur viktima në të gjitha palët ndërluftuese, edhe pse asnjëra palë tjetër, pos asaj serbe, nuk bëri një krim të këtyre përmasave ku me urdhër të gjeneralit Ratko Mlladiq u çuan në vdekje 8372 boshnjakë myslimanë.