Largimi i Nejmarit, nis “luftën” mes Mesit dhe Mbapes

E ardhmja e Nejmar-it te Paris Sen Zhermeni duket se ka krijuar tension edhe mes shokëve të skuadrës. Veçanërisht mes Lionel Messi-t dhe Kilian Mbapes. Braziliani duket se nuk është më i paprekshëm për klubin parisien dhe kjo situatë duket se ka krijuar diskutime mes dy yjeve të tjerë të sulmit dhe në përgjithësi gjithë skuadrës.

Sipas “Mundo Deportivo”, në fakt, argjentinasi, i cili është shumë i lidhur me Nejmarin, nuk është i kënaqur me trajtimin që i është bërë shokut të skuadrës dhe ish-kolegut të tij te Barcelona. “Pleshti”, gjithmonë sipas medias spanjolle, mendon se Nejmar duhet të qëndrojë ndërsa Mbape, sipas disa zërave që nuk janë konfirmuar, duket se preferon që ai të largohet.

Pikërisht këto dy këndvështrime të ndryshme duket se kanë krijuar tension mes të dyve. Të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund të merkatos dhe si do të sillen në fushë tre yjet.