
Mediat gjermane bëjnë me dije se, drejtori sportiv i Bajern Munihut, Hasan Salihamixhiçi, ka udhëtuar fshehurazi për në Itali dhe negociatat kanë nisur për të gjetur një marrëveshje që mbrojtësi holandez De Ligt të transferohet në Gjermani. Bavarezët janë të gatshëm të paguajnë 75 milionë euro këtë verë dhe 15 milionë të tjera në formë të bonuseve.
Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Maurizio Arrivabene deklaroi se tani, në “botën” e futbollit është e vështirë të mbash një lojtar kundër dëshirës së tij dhe gjithmonë ka një zgjidhje.
Gjithsesi, Bajerni nuk është pa rival, pasi Çellsi është në kërkim të një qëndërmbrojtësi, pasi Tushel kërkon të përforcojë skuadrën për sezonin e ri dhe De Ligt ishte në krye të listës së dëshirave.
De Ligt ka kontratë me “Zonjën e Vjetër” deri në verën e vitit 2024 dhe në javët e fundit është përfolur shumë se marrëdhëniet midis holandezit dhe italianëve janë “krisur” pasi ish mbrojtësi i Ajaksit, nuk ka pranuar të rinovojë kontratën e re.