Protestuesit në Shri Lanka hyjnë në Shtëpinë e Presidentit

Protestuesit kanë hyrë në rezidencën zyrtare të liderit të Shri Lankës duke bërë thirrje që presidenti, Gotabaya Rajapaksa të japë dorëheqjen për trajtimin e tij të krizës ekonomike të vendit.

Të shtunën, më shumë se 100 mijë protestues u grumbulluan jashtë në Shtëpinë e Presidentit pasi depërtuan kordonët e sigurisë të vendosura nga policia.

Imazhet tregojnë demonstruesit brenda ndërtesës dhe varjen e pankartave nga ballkoni, si dhe duke notuar në pishinën e rezidencës.

Protestuesit hyjnë në pishinën e shtëpisë presidenciale në Sri Lanka

“Rajapaksa nuk është në vend dhe është zhvendosur diku tjetër”, kanë thënë zyrtarët e sigurisë për “CNN“.

Mbetet akoma e paqartë se sa personel sigurie janë të pranishëm në lokacion.

Të paktën 31 persona, duke përfshirë dy oficerë policie, janë plagosur në protesta dhe po marrin trajtim, sipas Spitalit Kombëtar të Shri Lankës (NHSL).

Dy nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, sipas policisë.

Ndërkohë, kryeministri, Ranil Wickremesinghe ka thirrur një takim urgjent të liderëve të partive për të diskutuar situatën aktuale dhe për të arritur një zgjidhje, ka bërë të ditur  zyra e tij të shtunën.

Ai i ka kërkuar edhe kryetares së Kuvendit që të thërrasë deputetët.

Kombi i Azisë Jugore prej 22 milionë banorësh po vuan krizën e tij më të keqe financiare në historinë e fundit, duke lënë miliona të luftojnë për të blerë ushqime, ilaçe dhe karburant.