Verstapen zbulon se kur do të tërhiqet nga Formula 1

Piloti holandez Maks Verstapen ka një kontratë deri në vitin 2028 me “Red Bull”-in dhe pasi të përfundojë ajo kontratë, kampioni i botës do të tërhiqet.

“Në vitin 2028 mund të tërhiqem nga sporti, pasi në atë periudhë do të kem shumë vite që garoj në Formula 1. Gjithsesi, gjërat do të varen edhe nga faktorë të tjerë.

Nëse makina është kompetitive mund të vazhdoj, apo nëse do të jem i aftë për të fituar ende. Nuk e duroj dot idenë që të garoj në vendet e mesit apo fundit të renditjes. Më mirë të garoj në një kategori tjetër. Për momentin nuk dëshiroj të pilotoj për asnjë skuadër tjetër veç Red Bull”, tha Verstapen.

Ndryshe piloti holandez ka debutuar në Formula 1 në vitin 2015, në moshën 17-vjeçare e 166 ditë, duke qenë piloti më i ri në historinë e këtij sporti që garon në Formula 1. Një rekord që vështirë se mund të thyhet, duke qenë se rregulli i ri nuk lejon pilotët të garojnë në këtë sport pa mbushur 18 vjeç.