Ëndrra e bërë realitet – Dukagjini

Pasioni i saj për muzikën dhe veçanërisht për instrumentin e pianos ka bërë që rrugëtimin muzikor ta vazhdojë përtej oqeanit.

Adea Badivuku, pianistja që po arrin një sukses të jashtëzakonshëm në industrinë e muzikës si kandidatja e parë nga Kosova në studimet e doktoratës për piano në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Badivuku, në një intervistë për portalin Dukagjini ka shpalosur disa nga eksperiencat e saj në botën e muzikës, nga përzgjedhja e profesionit e deri tek suksesi që sot ka.

Ajo ka thënë që është rritur në frymën e muzikës dhe se tingulli dhe ngjyra e instrumentit të pianos kanë bërë që sot ajo të luaj me aq profesionalizëm dhe pasion.

“Duke u nisur nga fakti që jam rritur në një familje me traditë muzikore dhe e rrethuar me muzikantë, kam pasur fatin që të njihem me instrumentet qysh në vegjëli. Pianoja më ka tërhekur vëmendjen çdoherë me bukurinë dhe madhështinë e saj. Tingulli i bukur, ngjyrat muzikore e mbi të gjitha dëshira e madhe për të luajtur këtë instrument ishin arsyet kryesore të zgjedhja këtë karrierë dhe profesion”, ka thënë ajo.

Pianistja, Adea Badivuku

Por, padyshim që eksperiencat e para janë kujtimet më të mira, ndërsa pianistja tregon rreth shkollimit të saj ndër vite dhe pjesëmarrjen në gara dhe festivale të ndryshme.

“Në moshën 7 vjeçare fillova të vijoi mësimet e para të pianos në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku edhe përfundova shkollimin fillorë dhe të mesëm. Gjatë kësaj periudhe tregova suksese të vazhdueshme në garat pianistike të mbajtura çdo vit brenda dhe jashtë Kosovës duke u shpërblyer me çmime të shumta”.

“Pas shkollimit të mesëm me sukses shembullor vazhdova rrugëtimin pianistik në Universitetin e Prishtinës drejtimin instrumental. Përveç pjesëmarrjes në garat pianistike çdoherë isha pjesë e festivaleve si Chopin Piano Fest, Music Summer Academy, dhe masterklaseve pianistike të realizuara në Kosovë, Evropë dhe SHBA”, ka shtuar pianistja.

Çdo paraqitje dhe skenë e ka rëndësinë e vet, por cila është paraqitja që ajo e cilëson si më të suksesshmen deri sot.

“Kam performuar në qindra koncerte, festivale dhe gara pianistike si në Kosovë ashtu edhe në skena ndërkombëtare. Mbi të gjitha mund ta veçoj performancën time në New York “Carnegie Hall” në dhjetor të vitit 2021. Pas marrjes së çmimit të parë në “Golden Classical Music Awards” International Competition në New York, ftesa për të performuar në sallën më prestigjioze në botë ishte thjesht ëndërr e bërë realitet”, është shprehur Badivuku”.

Pianistja, Adea Badivuku

Ndërsa kur jemi tek vlerësimet, fjalët mbështetëse dhe kritikat kanë peshën e vet për një artist por për Badivukun, cili është vlerësimi më i mirë që ajo ka marrë.

“Vleresimet në karrieren pianistike janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga garat ku vlerësohemi nga juria profesionale dhe muzikantë prominent të fushave të caktuara e deri te pëlqimet dhe vlerësimi nga audienca”.

“Për mua çdoherë ka pasur rëndësi përkrahja e vazhdueshme nga familja dhe njerëzit më të dashur të mi. E mbi të gjitha mund të them se kritikat, komentet, brohoritjet dhe përgëzimet nga publiku artdashës, njerëz të panjohur të kulturave të ndryshme janë ndër faktorët kryesore që na japin shtysë neve si artist për të vazhduar punën me më shumë vullnet e dashuri”, është shprehur ajo.

Adea Badivuku është e angazhuar edhe në disa institucione të tjera muzikore. Ajo për portalin Dukagjini ka treguar pjesë nga eksperienca e saj përtej oqeanit dhe ka thënë që puna dhe mundi ndër vite i është shpërblyer.

Pianistja, Adea Badivuku

“Në SHBA u shpërngula para 4 vitesh për të vazhduar me studimet master në drejtimin e piano performim në Central Michigan University. Aty u ofrova me bursë të plotë studimesh dhe pozitë të asistentes në departamentin e pianos”.

“Mund të them se kjo mundësi ishte një fillim tejet i suksesshëm për karrierën që më priste në Amerikë. Pata fatin të koncertoj në sallat më madhështore si “Carnegie Hall”, të njihem me njerëz prominent të kësaj industrie e të shpërblehem për mundin dhe punën që kisha bërë ndër vite”.

“Tanimë jam pianistja e parë nga Kosova në programin e doktoraturës në piano në SHBA. E ofruar me burse të plotë studimesh doktorate në University of Nevada, Reno ku edhe punoj si asistente e lëndës së pianos, drejtoreshë e muzikës së Nevada Chamber Opera, nënkryetare e shoqatës së mësuësve të muzikës në Nevada. Jam po ashtu edhe pianistja e parë në departamentin hulumtues të këtij Universiteti”, ka shtuar më tej Badivuku.

Teksa është pyetur për momentet e saj më të sikletshme në skenë, ajo ka thënë që paraqitjet e saj i shijon dhe momente të tilla nuk ka përjetuar.

“Nuk mund të them se kam pasur ndonjëherë momente të sikletshme në skenë. Përkundrazi, adrenalina dhe emocionet janë çdoherë të pranishme si pjesë e profesionit dhe jetës artistike”, ka thënë ajo.

Por, çfarë ka bërë që Badivuku të ketë një sukses të tillë?

“Puna e vazhdueshme, dashuria dhe përkushtimi ndaj instrumentit janë çelësi i suksesit. E mbi të gjitha pasioni për muzikën dhe gatishmëria për të mësuar gjithmonë diçka të re. Madhështia besoj se është subjektive por nëse gjithmonë përpiqeni të bëni më të mirën tuaj, më të mirën tuaj absolute, do të jeni të shkëlqyer sepse askush nuk mund të bëjë më shumë se aq”, ka përfunduar ajo.