Gjobiten 8 furra, për peshë dhe peshoret e bukës

Inspektoriati Qendror i Tregut së bashku me Agjencinë e Metrologjisë dhe inspektorët komunalë të tregut kanë njoftuar se kanë kryer verifikime të jashtëzakonshme nëpër furrat e bukës në disa vende të Kosovës në lidhje me peshoret e bukës.

Pas inspektimit është bërë e ditur që pesë biznese kishin peshoret e paverifikuara, ndërsa tri të tjerave nuk u përputhej pesha e deklaruar e bukës.

Pamje gjatë inspektimit

“Janë shqiptuar gjoba ndaj 3 bizneseve të cilave nuk u përputhej pesha e deklaruar e bukës si dhe ndaj 5 bizneseve të cilat kishin peshoret e paverifikuara”, shkruhej në postimin e inspektoriatit në rrjetin social Facebook.

Ky aksion i inspektimeve do të vazhdojë edhe në vendet e tjera me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit dhe eleminimin e praktikave të padrejta tregtare.

Ndryshe, në fund të muajit të kaluar janë bërë inspektime për çmimin e bukës i cili është rritur si pasojë e ngritjes së produkteve të tjera, mielli dhe vaji.

Ndërkaq, si rezultat i ndryshimit të çmimeve është konstatuar që buka ka lëvizur nga 0.50 € në 0.60 €.