Shfaqja shqiptare që u ndalua nga serbët, fiton çmimet kryesore jashtë vendit

Të hënën e 11 korrikut, shfaqja dramë “Katër Epoletat” nga teatri i qytetit të Mitrovicës “Muharrem Qena” është luajtur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Maqedoninë e Veriut “Aktori i Evropës 2022”.

Drama “Katër Epoletat” është me regji të Haqif Mulliqit dhe luhet nga aktorët Basri Lushtaku, Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku.

“Juria profesionale e këtij festivali, në krye me aktorin e madh maqedonas, Meto Jovanovski vendosi që tri çmimet kryesore t’ua ndajë regjisorit dhe aktorëve të shfaqjes “Katër Epoletat”, shkruhet në postimin e Komunës së Mitrovicës.

Çmimin kryesor të festivalit “Aktori i Evropës 2022” e mori aktori Ismet Azemi. Aktori Basri Lushtaku mori çmimin për aktrim “Dionisi i Prespës 2022”, ndërsa regjisori i shfaqjes Haqif Mulliqi mori çmimin “Regjisori më i mirë i Festivalit 2022”.

”Vepër futuristike”

Regjisori dhe autori i shfaqjes, Haqif Mulliqi për Portali Dukagjini ka thënë se shfaqja dramë “Katër epoletat” është shkruar 40 vjet më parë dhe ishte reaksion ndaj brutalitetit të pushtetit serb ndaj demonstratave në Kosovë.

“Në fillim, koncepti im kishte të bënte me përballjen e fundit të dy gjeneralëve, dikur, të së njëjtës ushtri, të cilët, më në fund do ta shkatërrojnë botën e tyre dhe do të ngelen të ngujuar ndërmjet gërmadhave”, ka thënë regjisori i shfaqjes.

Mulliqi thotë se nuk e besonte se Jugosllavia do të shkatërrohej dhe gjeneralët e të njëjtit shtet dhe të së njëjtës ushtri, por, siç thotë regjisori disa vjet pas ngjarjeve në Kosovë nisi lufta në atë vend. Sipas tij, ky është teksti që dramën e tij e shëndërron në një “vepër futuristike”, mesazhi i së cilës, para se të gjithash është antilufta.

Mulliqi ka thënë se nëse do t’i marrim parasysh edhe teatrot e Shqipërisë, duhet të kenë më shumë se 10 inskenime të shfaqjes dramë “Katër Epoletat”, dhe ajo që e ka bërë më të lumtur është se çdoherë është ndarë shumë i kënaqur me inskenime.

Rrugëtimi i shfaqjes “Katër Epoletat”

“Për herë të parë në Kosovë shfaqja dramë “Katër Epoletat” është vënë në Teatrin Dodona, në vitin 1996 nga regjisori Orhan Kerkezi”, ka thënë regjisori Mulliqi.

Këtë shfaqje Mulliqi e vlerësoi si të jashtëzakonshme dhe që e kujton shpesh. Në këtë shfaqje, Orhan Kerkezi i shtoi dhe aktorët Armond Morina e Adhurim Demi. Ndërsa, rolet kryesore janë luajtur nga aktorët Shani Pallaska dhe Lirak Çelaj.

Regjisori i shfaqjes, Haqif Mulliqi pas marrjes së çmimeve në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Maqedoninë e Veriut “Aktori i Evropës 2022”

“Në vitin 1997, drejtoria e dhunshme e Teatrit të Gjakovës, nuk e lejuan inskenimin e saj. Unë nuk e besoj se për shkak të temës, por, domosdo më konsideronin të papranueshëm, më kot kishte këmbëngulur dhe aktori Hadi Shehu, por vendimi i serbëve ishte definitiv. Por, megjithatë shfaqja është vënë, në dhjetor të vitit 1999, po në Gjakovë nga regjisori gjerman, Holger Zibler. Edhe inskenimi i tij i ftohtë, me doza ironie dhe sarkazmi më pëlqeu fort”.

Mulliqi ka vazhduar të rrëfej se inskenimi tjetër është bërë në Tiranë, nga Milto Kutali në vitin 2004. Kjo shfaqje është kualifikuar në dy festivale botërore, të Edinburgut dhe Kajros në vitin 2006.

Ndërsa, në vitin 2017, “Katër epoletat” është inskenuar në Prishtinë nga regjisorja Arta Mulliqi dhe u luajt nga aktoret Donika Ahmeti dhe Qëndresa Loku. Kjo shfaqje ka fituar çmim në një festival ndërkombëtar.

Për 40-vjetorin e dramës, regjisori ka inskenuar “Katër Epoletat” në Teatrin e Mitrovicës “Muharrem Qena”.

“Disi, çdo gjë rreth kësaj drame u kompletua”.

Regjisori i shfaqjes është ndarë i kënaqur me çmimet e fituara, të cilat u ndan në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Maqedonisë së Veriut “Aktori i Evropës 2022”.

“Ua them me sinqeritet se çmimet e aktorëve më gëzuan shumë. Ismeti dhe Basriu, për mua janë aktorë të paarritshëm me një potencë të jashtëzakonshme. Më pëlqen të punoj me ta, ndërsa, sa për ilustrim me Ismetin, tashmë, kam punuar në dymbëdhjetë shfaqje”.

Regjisori i “Katër Epoletat”, Haqif Mulliqi ka treguar planet e tij profesionale për të ardhmen. Ai beson se në fund të korrikut do ta nxjerr nga shtypi monografinë e tij për Henrik Ibsen, të cilin e konsideron si të atin e moderniznit në dramë.

“Kjo vjen pas monografisë time që tashmë e kam botuar. Në vjeshtë shpresoj ta dërgoj në shtyp monografinë time për Anton Çehovin. Qendra Multimediale më ka premtuar se do ta botojë”.

Sa i përket “Katër epoletave”, Mulliqi pret që në vjeshtë të shkoj në Tuzëll (Bosnjë e Hercegovin֝ë), që të marr pjesë në premierën boshnjake të saj.

“Për shfaqjen e Mitrovicës, kemi disa ftesa ndërkombëtare. Mendoj se janë gjashtë, shpresoj se në tre apo katër prej tyre dobtë marrim pjesë”. Për në fund, Mulliqi tregoi se do të inskenoi dramën e tij “Show time”, për të cilën i ka bërë përgatitjet, por se provat nuk do t’i fillojë para shtatorit.

Aktori, Basri Lushtaku rrëfen eksperiencën e tij

Aktori në dramën “Katër Epoletat”, Basri Lushtaku në një intervistë për Portali Dukagjini ka thënë se eksperienca e tij dhe e gjithë ekipit ishte shumë e mirë. Lushtaku ka vlerësuar mirëpritjen dhe e ka cekur që zakonisht nëpër festivale regjisorët dhe aktorët takohen me kolegët e tyre dhe të vendeve tjera, me të cilët shkëmbejnë ide dhe përvoja të ndryshme.

Basri Lushtaku ka treguar se secili ekip kur e punon nje shfaqje ka pritshmeritë e veta për punën dhe angazhimin tek një shfaqje.

“Puna jonë me regjisorin dhe autorin e shfaqjes “Katër Epoletat” ka qenë një punë e lodhshme për aktorët, kur dihet fakti që personazhet janë gjatë gjithë kohës në skenë. Por, jo e mundimshme kur punohet me dashuri për personazhin dhe karakterin që ndërton”.

Aktori Basri Lushtaku ka rrëfyer se nëse e shtojmë punën e regjisorit dhe autorit te dramës “Katër Epoletat” Haqif Mullliqi, i cili ka një përvojë dhe metodë të veqantë për punën me aktorët, të gjitha këto tregojnë se pritshmerit e tyre kanë qenë se kanë punuar një shfaqje të mirë dhe do t’iu shpërblehet mundi të gjithëve.

I pyetur se nëse shfaqja “Katër Epoletat” do të ketë reprizë, Lushtaku është shprehur se shpreson se shfaqja dramë do të luhet përsëri.

Aktori, Basri Lushtaku

“Kjo shfaqje është punuar në Teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe mirëpritja ka qenë fantastike nga te gjithë, duke filluar nga drejtori i teatrit Sabit Sheremeti, tek stafi teknik, të cilët kanë qenë të mrekullushëm me punën e tyre. Na ka ndihmuar dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, drejtoresha Valdete Idrizi, e cila nuk ka hezituar aspak duke na ndihmuar që ne të shkojmë në festivalin e Prespës. Po, shpresojmë që shikuesit do ta shohin këtë shfaqje përsëri në Teatrin “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe në shumë festivale tjera nëpër botë!”.

Aktori, Basri Lushtaku ka folur dhe për rolin e tij në dramën “Katër Epoletat”, i cili është “Gjenerali Alfador”. Në këtë shfaqje janë dy gjeneral, të cilët ballafaqohen me fundin e jetës së tyre.

“Kjo ndodh pas luftërave që kanë zhvilluar dhe presin vdekjen, duke mos dashur ta pranojnë për asnjë qast se vdekja do të vijë edhe për këta dy!”, është shprehur aktori.

Aktori i rolit “Gjenerali Alfador” ka treguar dhe për planet e tij profesionale, i cili së shpejti do të filloi të punoi në disa projekte filmike, në një film të gjatë dhe në një film të shkurtër. Po ashtu, Basri Lushtaku do të jetë i angazhuar dhe në Teatrin Kombetarë, në të cilin është pjesë e trupës rezidente tanimë mbi 20 vite.

Aktori Basri Lushtaku ka falënderuar edhe aktorët Ismet Azemi dhe Adem Zhitopotoku, për punën që e kanë bërë së bashku në dramën “Katër Epoletat”.

“Dhe kur harmonia mes aktorëve është e mirë gjithnjë dhe rezultati nuk mungon, kjo harmoni nuk ka munguar qysh nga prova e parë që kemi filluar së bashku”, përfundon aktori Basri Lushtaku.

Valdete Idrizi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë tregon prtitshmëritë për shfaqjen dramë “Katër Epoletat”

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Valdete Idrizi në një intervistë për Portalin Dukagjini është shprehur se është gëzuar pa masë që Teatri i Mitrovicës “Muharrem Qena” me shfaqjen “Katër Epoletat” i ka rrembyer tri çmimet kryesore.

“Natyrisht, u ndjeva shumë krenare për këtë sukses të jashtëzakonshëm”, ka thënë Valdete Idrizi.

Idrizi ka shtuar se për këtë shfaqje ka pasur pritshmëri të lartë, duke marrë parasysh emocionet e forta qe na i kanë dhënë të gjithëve që e kanë parë shfaqjen.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë, Valdete Idrizi

“Perzgjedhja e aktorëve fillimisht dhe loja briliante e tyre, nën regjinë e Haqif Mulliqit, një regjisor i jashtëzakonshëm qe i ka dhënë aq shume artit e në veçanti atij skenik, nuk ka pasur se si të mos më krijojë pritje të mëdha”.

Drejtoresha e DKRS-së në Mitrovicë ka treguar se kanë shumë plane si komunë, por prioritet është përmirësimi i kushteve të punës, duke përfshirë adaptimin dhe renovimin e sallës së teatrit dhe të gjithë objektit.

Valdete Idrizi ka rrëfyer se ka filluar puna për rregullimin e qështjeve klimatike të tetarit të qytetit, duke shtuar se Qendra e Kulturës në Mitrovicë është përfituese nga fondi i efiçiencës, dhe në vjeshtë pritet renovimi. Ndërsa, për problematikat tjera, Valdete Idrizi ka informuar se punojnë në vazhdimësi, ajo theksoi se duhet të ofrojnë teatrin afër publikut duke ofruar vetëm cilësi.

“Në përgjithësi, Mitrovicën do ta bëjmë qendër të teatrit e të kulturës!”, ka përfunduar Valdete Idrizi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Mitrovicë.