Siguria e qytetarëve nëpërmjet kamerave të vendosura në trupat e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës

Sociologu gjerman Max Weber në veprën Politika si Profesion, ka treguar se si njerëzit i nënshtrohen sundimit duke e deleguar legjitimitetin për t’u udhëhequr nga tri lloje të pushtetit.

Në rend të parë Weber e ka radhitur autoritetin zakonor të një vendi apo siç e ka quajtur ai “është autoriteti i “të djeshmes së përjetshme” që sipas tij është “autoriteti i zakonit, i shenjtëruar në zbatimin e tij nëpërmjet vlefshmërisë së vet të vjetër sa s´na e merr mëndja dhe nëpërmjet predispozicionit të bërë shprehi në respektimin e tij”, pra, ky është sundimi ‘tradicional’.

Autoriteti i dytë që i nënshtrohen njerëzit është dhe ai i dhuntisë së jashtëzakonshme që e gëzon ndonjë individi apo siç njihet, karizma.

Policia e Kosovës

Kurse autoriteti i tretë është sundimi i “legalitetit, në saje të besimit në vlefshmërinë e statutit legal dhe në saje të “kompetencës” konkrete e mbështetur kjo në rregulla të krijuara në mënyrë racionale”.

Weber konsideron se “nënshtrimi kushtëzohet nga motive shumë të fuqishme të frikës dhe të shpresës”, dhe se sipas tij shteti është pronari i vetëm i dhunës legjitime.

“Në qoftë se do të ekzistonin vetëm institucione sociale, për të cilat dhuna si mjet do të ishte e panjohur, atëherë  koncepti ‘shtet’ do të kishte rënë poshtë, atëherë  do të shfaqej ajo që në këtë sens specifik të fjalës do të emërtohej “anarki”.

Mirëpo, në Kosovë në shumë raste tejkalohet ‘dhuna legjitime’ nga organet e rendit.

Por, si të mbrohemi nga dhuna ‘legjitime’?

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), në një përgjigje për  Portalin Dukagjinin, ka folur lidhur transparencën e dhunës legjitime ku ka thënë se do të ishte shkelje e të drejtave të njeriut nëse kamerat e trupit do të vendosen pa siguruar një bazë ligjore dhe vetëm për mbikëqyrjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Tutje KMDLNJ, ka parashikuar se nëse do të ndodhte që të bëhej, “vendosja eventuale e kamerave te trupit, e rrite transparencën e punës së policisë, përgjegjësinë dhe e rritë profesionalizmin aq më parë kur dihet se puna e tyre po mbikëqyret”.

ilustrimi

Nëse policia do të ishte me kamerat e trupit dhe qytetarët do të kishin një sjellje më të ndryshme dhe “në ketë mënyrë do të sigurohej një mekanizëm që i merr në mbrojtje edhe policë,t kurse qytetarët që do të paraqitnin rastet në IPK do ta kishin një argument shtesë”.

Por për të parë se si i vlerëson Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), vendosjen e kamerave  të trupit tek pjesëtarë e policisë, portali Dukagjini ka dërguar pyetje dhe në këtë institucion.

IPK-ja ka thënë se një iniciativë e tillë do të “ndikonte në fuqizimin e integritetit policor si dhe në sundimin e ligjit në përgjithësi”.

Për IPK-në ka shumë arsyeje, pse Policia e Kosovës, duhet të ketë kamera të trupit të cilat filmojnë punën e tyre.

Policia e Kosovës gjatë një aksioni të kontrollit

“Furnizimi me kamerat e trupit, ndihmon në adresimin e pretendimeve të qytetarëve rreth reagimit policor në rastet e përdorimit të forcës, dokumenton me video mënyrën e reagimit policor por në të njëjtën kohë edhe mbron zyrtarët policorë në raste të ndryshme”.

“Regjistrimet me video dhe audio janë të nevojshëm për të demonstruar transparencë ndaj qytetarëve, dhe për të dokumentuar deklarata, sjellje dhe prova të tjera, si dhe për të penguar sjelljet joprofesionale, të paligjshme dhe të papërshtatshme si nga policia ashtu edhe nga qytetarët”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Dukagjini ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të parë se a e ka në plan për t’u pajisur me kamera të trupit.

Në një përgjigjen e tyre thuhet se pajisja me kamera është në Planin Zhvillimor Strategjik, të tyre që ka filluar në vitin 2021 dhe është paraparë që të përfundojë në vitin 2025.

Sipas Policisë së Kosovës, është në përputhje me prioritetet e Qeverisë, dokumentet e saj strategjike dhe planet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) si dhe rekomandimet e partnerëve tanë strategjikë, si objektivë strategjike ka përcaktuar standardizimin e infrastrukturës fizike, teknike dhe i teknologjisë informative.

“Andaj, projekti për kamerat e trupit është ende në proces e sipër”.

Për të zbatuar këtë plan, Policia ka thënë se është “formuar grupi punues, në përbërje me profesionist të fushave përkatëse, janë zhvilluar konsultime paraprake, me institucione shtetërore dhe institucione të pavarura, janë pranuar dhe inkorporuar në dokument rekomandimet e tyre”.

”Grupi punues ka hartuar aktin nënligjor për vendosjen e kamerës në trup të zyrtarit policor; procesi është në vazhdim e sipër për sigurimin e urdhëresës së parë të kamerave trupore për polic të cilat vijnë si donacion nga ShBA-të”.

ilustrimi

Policia e Kosovës ka thënë se ‘ligji përcakton kompetencën e Policisë për përdorimin e pajisjeve mobile dhe statike apo të ngjashme për video incizime”.

E kjo do të ishte në shërbimi të ngritjes së efikasitetit operacional të Policisë së Kosovës në përputhje të plotë me synimet e saj, sipas zyrës për informim në Policinë e Kosovës.

PK-ja ka vlerësuar se kamerat janë të nevojshme pasi ato janë treguar të dobishme dhe si prova të besueshme edhe në gjykata janë provuar si një mjet kundër korrupsionit.

E këto do t’iu hyn në punë Policisë së Kosovës që sipas tyre do të përdorshin “si mjete mësimi në trajnime, për auditime të brendshme dhe hetime si dhe një mjetë për forcimin e bashkëpunimit apo ruajtjen e marrëdhënieve të mira me komunitetin”.