Mbi 35 gradë temperaturat në ditët në vazhdim, kërkohet kujdes

Temperaturat janë ngritur e bashkë me to edhe fluksi i pacientëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë.

Për këtë, po kërkohet shumë kujdes derisa mjekët po apelojnë te qytetarët që të evitojnë daljet gjatë pikut të ditës.

“Duhet pasur kujdes dhe t’i përmbahemi rekomandimeve që ta ruajmë shëndetin. Duhet që nga ora 10:00 deri në orën 14:00 mos të ekspozohemi në diell. Në rast se duhet të ekspozohemi në diell atëherë duhet të kemi kujdes me mënyrën e veshjes dhe mënyrën e ushqimit, të përdorim pemë e perime. Duhet të konsumojmë ujë më shumë”, ka thënë Drita Peqani – Doktoreshë në QKMF në Prishtinë.

Drita Peqani – Doktoreshë në QKMF në Prishtinë

Jo vetëm njerëzit por nga ngritja e temperaturave po pëson edhe ambienti.

Malë Gashi, nga Brigada e zjarrfikësve në Prishtinë tregon se kanë intervenuar në dhjetëra raste por po kanë vështirësi për shkak të mungesës së personelit.

“Me ngritjet e temperaturave dhe korjeshirjet që kanë ndodhur, vetëm gjatë vikendit kemi bërë intervenime në 25 raste. Ne mbulojmë komunat e Fushë Kosovës, Obiliqit, Prishtinën e Graqanicën. Kapaciteti jonë është vetëm 87 persona të brigadës tonë pasi po shkojnë në pension dhe është mjaft problematike mbulimi për këto katër komuna”, ka thënë Malë Gashi – Ndihmës i Komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.

Malë Gashi – Ndihmës i Komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.

E një lutje për bujqit në këtë periudhë të verës e ka profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci.

“Pas korrjeve të sipërfaqës me grurë, fermerët duhet të kenë kujdes që mos të djegin kashta në këtë kohë të nxehtë. Disavantazhet janë të shumta dhe në këtë periudhë të thatësisë unë rekomandoj që të bëjnë lavër e të përmbysin kashton e mos t’i djegën dhe duhet të sanksionohet edhe me ligj”, ka thënë Rusinovci.

Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci

Këtë të martë, temperaturat rekorde janë shënuar në Britani të Madhe, që për herë të parë ka regjistruar temperaturën 40 gradë celsius.

Kjo valë e të nxehtit që ka përfshirë Evropën, po shpresohet të shërbejë që qeveritë të konsiderojnë seriozisht masat për të zbutur ndryshimet klimatike.

“Shpresoj që vala e të  nxehtit në Evropë dhe temperaturat që kanë thyer rekorde në Britani, do të shërbejnë si zile zgjimi për qeveritë dhe që votuesit të bëjnë më shumë për ndryshimet klimatike. Trendi i rritjes së valëve të të nxehtit pritet të vazhdojë për dekada, të paktën deri më 2060 pavarësish përpjekjeve për të zbutur ndikimin tonë në çështje të klimës”, ka thënë Petteri Taalas- Udhëheqësi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Motin.

Franca, Spanja, Kroacia, Greqia e Gjermania po përballen me përhapje të madhe të zjarreve ku si pasojë kanë evakuuar shumë banorë nga zonat e rrezikuara.

Temperatura rekorde këto ditë u shënua në Portugali, 47 gradë celsius.