Hiperinflacionet më spektakolare në historinë moderne

Nga Adrian Civici

Inflacioni, arsyet që e shkaktojnë dhe krizat e problemet e rënda që ai shkakton, duket se janë një “histori e përsëritur”, bashkëshoqëruese e në historinë njerëzore. Që nga Perandoria romake e deri në ditët e sotme, “gogoli inflacion”, në shumë kontinente, vende apo shekuj është shfaqur në forma dhe për shkaqe të ndryshme, por gjithmonë me efekte shkatërruese. Në historinë ekonomike e financiare të 100 viteve të fundit, vende të ndryshme, në të gjithë kontinentet janë përballur me situata inflacioniste shumë të rënda. Ja pesë prej rasteve më të rënda e të jashtëzakonshme.

Hiperinflacioni gjerman i vitit 1923. Niveli mujor i inflacionit : 29500%

Humbja e luftës së parë botërore dhe nënshkrimi i “traktatit të Versajës” në 28 qershor 1919 ishte me pasoja shumë të rënda për Gjermaninë. Përveç kufizimeve politike e ushtarake dhe humbjeve të mjaft territoreve, Gjermania u detyrua të pranonte dhe mjaft sanksione të rënda ekonomike, sidomos ato që kishin të bënin më detyrimin e saj që të kontribuonte financiarisht në rindërtimin e vendeve të dëmtuara nga lufta . Sanksionet ishin aq të rënda sa edhe vetë ekonomisti i shquar John Maynard Keynes që bënte pjesë në delegacionin britanik e kritikoi ashpër këtë qëndrim të aleatëve.

Në veprën e tij profetike “Pasojat ekonomike të paqes”(1919) ai parashikonte se varfërimi i Gjermanisë do të sillte më vonë një hakmarrje të tmerrshme”, gjë që u vërtetua me fitoren e ekstremizmit nacionalist gjerman dhe ardhjen në pushtet të nazizmit, përfshirë këtu dhe shpërthimin e luftës së dytë botërore. “Rritja galoponte e inflacionit në Gjermani nuk lidhet vetëm me detyrimin për të përballuar reparacionet e mëdha nga ana e Gjermanisë në mbarim të luftës së parë botërore, sepse inflacioni kishte shpërthyer në këtë vend që në fillim të luftës, duke arritur shifra marramendëse në vitin 1916…megjithatë, deri në vitin 1922 pati efekte pozitive sidomos në drejtim të rritjes së punësimit, nxitjes së rritjes ekonomike dhe pagave”. Ashtu si gjithë vendet ndërluftuese, edhe shteti gjerman u përpoq që ta financonte luftën duke emetuar në masë monedhë të re, duke provokuar kështu një ciklon inflacionist në horizont.

Por, edhe në vitet e para pas luftës, situata ekonomiko-financiare e Gjermanisë kontrastonte pozitivisht në raport me fqinjët e saj të cilët u prekën nga një krizë e rëndë ekonomike në vitet 1920-1921. Ekuilibri i ekonomisë dhe financave gjermane u prish kur aktorët ekonomikë u njohën me shumën e borxhit që duhet të paguante vendi, dhe për pasojë reaguan menjëherë që të shpenzonin sa më shpejt që të ishte e mundur paratë e tyre. Tregu gjerman u përmbyt nga markat që gjithkush kërkonte ti hiqte nga vetja.
Qeveria e re e kancelarit Ëilhem Cuno, e dekretuar në 22 nëntor 1922, në tentativë për të stabilizuar situatën monetare të vendit, kërkoi një shtyrje prej dy vitesh për pagimin e reparacioneve të luftës. Por, kjo kërkesë u hodh poshtë nga të gjithë aleatët, e sidomos nga Franca, e cila duke shpresuar tek kompensimet gjermane nuk kishte planifikuar të ardhura shtesë për të përballuar deficitin e madh të borxhit të saj të brendshëm. Si pasojë e një borxhi publik prej 279 miliard frangash dhe detyrimit të qeverisë franceze për të hedhur në treg një masë shumë të madhe monedhe të re, në Francë u konstatua një rritje e jashtëzakonshme çmimesh të cilat në vitin 1926 ishin 8.5 – 9 herë më të larta se në vitin 1914. Reagimi i ashpër francez ndaj kërkesës gjermane e vuri me shpatulla në mur qeverinë e kancelarit Ëilhem Cuno, i cili kishte shpresuar deri në minutën e fundit në një presion të mundshëm ndërkombëtar ndaj Francës. Si pasojë e këtij refuzimi francez, i shoqëruar edhe me një okupim ushtarak nga ana e francezëve dhe belgëve të zonës industriale gjermane të Rhur-it, qeveria gjermane u detyrua të avanconte me pagimin e reparacioneve duke prerë dhe hedhur në qarkullim akoma dhe më shumë monedha.

Pasojat inflacioniste ishin katastrofike. Dollari amerikan që në janar të vitit 1921 vlente 75 marka, arriti në 7260 marka në fillim të vitit 1923. Çmimet të cilat në periudhën ndërmjet viteve 1913 dhe 1921 “u rritën 14 herë..në gjashtë muajt e fundit të vitit 1921 u rritën 35 herë…për tu rritur me 1475 herë në vitin 1922” . Çmimet në treg kaluan nga raporti 1 : 11 markës me dollarin në raportin 1 : 750 000 000 000 në nëntor 1923. Çmimet e pjatave nëpër restorante ndryshonin çdo orë të ditës me disafish dhe një klient që vinte në restorant një ose dy orë më vonë se një tjetër mund të paguante 10 fish më shtrenjtë të njëjtën pjatë.

Këtë situatë absurde e shpreh Albert Speer në librin “Në zemër të Rajhut të tretë” kur përshkruan një natë në Berlinin e fund vitit 1923. “Këtu çmimet nuk duken dhe aq të shtrenjta. Dhoma e hotelit kushton vetëm 400 000 marka, darka 1800000 marka, ndërsa një gotë qumësht 250000 marka. Gjashtë javë më vonë, një drekë në këtë hotel kushtonte ndërmjet 10 dhe 20 miliard marka, ndërkohë që një vakt i thjeshtë në restorantet popullore, kushtonte më shumë se 1 miliard marka. Unë shkova dhe në teatër, bileta e të cilit në varësi me orën e shitjes kushtonte 300 deri në 400 milionë marka”. Në raport me dollarin, monedha gjermane ç’vleftësohej me 613000 marka në sekondë, ndërkohë që çmimet dyfishoheshin çdo 49 orë. Në kulmin e krizës së hiperinflacionit gjerman, masa monetare në qarkullim ishte aq e madhe (500 kuitilion marka), aq sa një dollar vlente 4200 miliard marka .

Aq marramendëse ishte ç’vleftësimi i monedhës gjermane edhe në raport me monedhat e tjera, sa që “një student spanjoll që deri në vitin 1922 jetonte në mënyrë modeste me bursën e tij në peseta spanjolle të cilën ja dërgonin prindërit nga Spanja, në fund të vitit 1923, në kulmin e hiperinflacionit, me të njëjtën bursë ai mund të blinde disa pallate disa katëshe në lagjet më të mira të qyteteve gjermane”. Aq pa vlerë u bë monedha gjermane në këto momente, sa gjithshka mund të përmblidhet shumë qartë në një anekdotë të asaj kohe sipas së cilës “dy gra ishin nisur për të bërë pazarin e ushqimeve të ditës dhe paratë e tyre i kishin në një kanistër të madhe rrobash. Rrugës ju tërhoqi vëmendjen një dyqan veshjesh në të cilin kishte shumë njerëz. Gratë u joshën nga vitrinat, e lanë kanistrën plot me marka në hyrje të dyqanit dhe u futën brenda. Mbas një ore, u kujtuan të tmerruara që kishin lënë jashtë paratë dhe dolën me shpejtësi për ti marrë me frikën se dikush mund tju a kishte vjedhur. Ajo që panë ishte se paratë ishin po aty, ndërkohë që ishte vjedhur vetëm kanistra”.

E gjithë kjo situatë e jashtëzakonshme filloi ndryshonte në vitin 1924 kur qeveria gjermane, në kërkim të mjeteve për ta ndaluar hiperinflacionin, zëvendësoi monedhën ekzistuese “papiermark” me një monedhë të re të quajtur “rentenmark” e cila kishte vlerën e 1000 miliard markave të vjetra. Kjo monedhë u barazua në vlerë më markën e para vitit 1914.

Duke patur konsensusin e plotë të popullsisë gjermane që e pranoi dhe përdori pa asnjë kusht apo pretendim këtë monedhë të re, si dhe duke bërë “garant” të saj pasuritë e Gjermanisë, qeveria dhe shteti gjerman arritën që të përballojnë 97.5% të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm të vendit. Por, ndërkohë që situata ekonomike e financiare shkoi drejt stabilizimit, situata sociale dhe politike u përkeqësua duke i hapur rrugën nacionalizmit dhe ardhjes në pushtet të Hitlerit dhe nazizmit.

Hiperinflacioni në Greqi nga 1941 deri në 1945. Niveli mujor i inflacionit: 13800%
Greqia kaloi një periudhë shumë të rëndë hiperinflacioni duke filluar nga maji 1941 dhe deri në dhjetor 1945. Nivelet e inflacionit ishin të jashtëzakonshme: norma më e lartë e inflacionit u shënua në tetor vitit 1944 me 13,800%. Greqia në vitin 1944 pa çmimet të dyfishohen çdo 4,3 ditë. Hiperinflacioni në Greqi teknikisht filloi në tetor 1943, gjatë pushtimit gjerman të vendit në Luftën e Dytë Botërore. Megjithatë, inflacioni më i lartë ndodhi kur qeveria greke në mërgim rifitoi kontrollin e Athinës në tetor 1944; çmimet u rritën me 13,800 për qind atë muaj dhe 1,600 për qind të tjera në nëntor 1944.

Periudha e hiperinflacionit në Greqi nuk ishte aspak befasuese, pasi rezultoi si pasojë direkte e efekteve të pushtimit italian e gjerman gjatë luftës së dytë botërore si dhe konflikteve të brendshme të saj. Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, Greqia rezultonte me një suficit buxhetor prej 271 milionë dhrahmi për vitin fiskal 1939, por kjo situatë u përmbys plotësisht, pasi në vitin 1940, Greqia rezultonte me një deficit prej 790 milionë dhrahmi, kryesisht për shkak të tregtisë, uljes së prodhimit industrial si rezultat i lëndëve të para të pakta dhe shpenzime të papritura ushtarake. Deficitet e vendit do të vazhdonin të financoheshin nga paradhëniet monetare nga Banka e Greqisë, e cila kishte dyfishuar ofertën monetare në dy vjet. Me uljen e të ardhurave nga taksat dhe gati 10-fishimin e shpenzimeve ushtarake, financat e Greqisë ishin në një spirale në rënie.

Në periudhën prill 1941 – tetor 1944, forcat pushtuese e ndanë Greqinë në 3 zona dhe në seicilën prej tyre, zona gjermane, zona italiane dhe zona bullgare, u emetuan monedha të ndryshte pothujase pa asnjë vlerë, të cilat shërbenin thjesht dhe vetëm “për të blerë në funksion të nevojave të ushtrisë dhe administratës si dhe për nxjerrë jashtë cdo lloj prodhimi”. Cmimet vendoseshin arbitrarisht dhe emetimi i monedhave të reja morri përmasa alarmante. Cmimet rriteshin cdo ditë, si pasojë e mungesës dhe rrallësisë së mallrave e produkteve në treg, ndërkohë që autoritetet pushtuese i përgjigjeshin kësaj me shtimin e parasë në qarkullim. Inflacioni i kërkesës u shndërrua shpejt në një hiperinflacion.

Në vitin 1942, prerja më e lartë e monedhës ishte 50,000 dhrahmi, por deri në vitin 1944, prerja më e lartë ishte një kartëmonedhë 100 trilion dhrahmi. Më 11 nëntor, qeveria lëshoi një riemërtim të monedhës, e cila konvertoi dhrahminë e vjetër në të re me një normë prej 50 miliardë në një, megjithëse popullsia vazhdoi të përdorte paundet ushtarake britanike si monedhë de facto deri në mesin e vitit 1945. Pasojat sociale të hiperinflacionit ishin uria, kequshqyerja dhe rënia e standardit të jetesës së popullsisë greke, për shkak të ndryshimit të shpërndarjes së të ardhurave. Monedha vendase “dhramia” humbi pothujase tërësisht vlerën e saj dhe besimin si monedhë. Ajo u zëvendësua nga transaksionet, edhe ato më të thjeshtat, në ar apo metale të tjera të çmuara.

Pas luftës civile janar-dhjetor. 1945/46, britanikët ofruan një plan për të stabilizuar vendin, i cili përfshinte rritjen e të ardhurave përmes shitjes së mallrave të ndihmës, një rregullim të normave specifike të taksave, përmirësimin e metodave të mbledhjes së taksave dhe krijimin e Komitetit të Monedhave (i përbërë nga tre ministra të kabinetit grek, një britanik dhe një amerikan) për përgjegjësinë fiskale. Në fillim të vitit 1947, çmimet ishin stabilizuar, besimi i publikut u rivendos dhe të ardhurat kombëtare u rritën, duke e nxjerrë Greqinë nga vorbulla e hiperinflacionit.

Hungari 1946 : Inflacioni më i lartë mujor: 13,600,000,000,000,000%. Çmimet dyfishohen çdo: 15,6 orë

Në fillim të shekullit të 20-të, hungarezët përjetuan zhdukjen e tre monedhave zyrtare në dy dekada. Pak popuj në mbarë botën kanë përjetuar cenueshmërinë e monedhave të tyre në këtë mënyrë. Përvec kësaj, shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze pati efekt në zvogëlimin e konsiderueshëm të territorit hungarez, në çorganizimin e ekonominë dhe kaosin monetar: Hungaria përjetoi një një periudhë të parë hiperinflacioni ndërmjet viteve 1921 dhe 1924.

Pas Luftës së Dytë Botërore, sovraniteti i Hungarisë u shoqërua me pasiguri të mëdha për sa i përket ushtrimit të pushtetit, në konturet e sakta të kufijve të saj, në kontrollin e çështjeve monetare. Duke marrë parasysh këto tensione, kuptojmë më mirë intensitetin e hiperinflacionit të dytë të viteve 1945-46.

Në Hungarinë e pasluftës, mungonte gjithçka. Ish vendi aleat i Gjermanisë naziste, i pushtuar nga Ushtria e Kuqe, në nëntor 1945, votoi me shumicë dërrmuese për një parti konservatore. Tensionet midis pushtuesit dhe qeverisë bëjnë shumë pak për të ndihmuar ekonominë e shkatërruar të Hungarisë, sidomos për faktin se komunistët ishin maksimalisht të prirur të akuzonin kundërshtarët e tyre për vështirësitë e jashtëzakonshme ekonomike. Pa ndihmën e huaj, Budapesti nuk kishte asnjë mjet tjetër për të paguar nëpunësit e tij civilë dhe shpenzimet e tjera, përveç shtypjes së miliarda “Pengo-ve”, monedha e asaj kohe. Nga gushti 1945 deri në korrik 1946, hiperinflacioni goditi rëndë vendin duke bërë që norma ditore e rritjes së çmimeve do të jetë 207%. Në momentet e fundit të këtij episodi, çmimet u rriten me 150 000% në ditë.

Nga mesi i vitit 1946, prerja monetare më e lartë e Hungarisë ishte 1000,000,000,000 më e madhe krahasuar me vlerën e emetimeve të viteve 1944, që ishte vetëm 1000 Pingu. Në kulmin e inflacionit të Hungarisë, vlerësohet se norma e inflacionit ditor ishte 195 për qind. Çmimet dyfishohen çdo: 15.6 orë, duke rezultuar në një normë inflacioni mujor prej 13.6 kadrilion për qind.

Situata ishte aq e rëndë sa qeveria miratoi një monedhë të veçantë që u krijua në mënyrë eksplicite për taksat dhe pagesat postare dhe rregullohej çdo ditë nëpërmjet radios. Pak më vonë, në atë vit, Pingu u zëvendësua përfundimisht në një monedhë të rivlerësuar, por vlerësohet se kur monedha u zëvendësua në gusht 1946, totali i të gjitha kartëmonedhave hungareze në qarkullim ishte i barabartë me vlerën e një të njëmijtës së një dollari amerikan.

Pingu hungarez u prezantua për herë të parë në vazhdën e Luftës së Parë Botërore për të stabilizuar ekonominë e vendit dhe për të korrigjuar inflacionin e lartë të asaj periudhe. Sektori bujqësor i Hungarisë u godit shumë rëndë nga Depresioni i Madh dhe borxhi në rritje i vendit e detyroi Bankën qëndrore të zhvlerësonte monedhën për të mbuluar kostot duke relaksuar në maksimum politikën financiare dhe monetare.

Kur shpërtheu lufta e Dytë Botërore, Hungaria ishte në një pozitë mjaft të dobët ekonomike dhe Banka qendrore ishte pothuajse tërësisht nën kontrollin e qeverisë; shtypja e parave bazuar në nevojat buxhetore të qeverisë ndodhte pa asnjë lloj kufizimi financiar. Mjedisi inflacionist u bë aq i tmerrshëm sa monedhat filluan të zhdukeshin tërësisht nga qarkullimi, duke filluar me monedhat e argjendit dhe madje edhe monedhat e bronzit dhe nikelit, pasi metalet përbërës u bënë shumë më të vlefshëm se vetë monedhat. Me përfundimin e luftës së II-të botërore, qeveria e hungareze mori kontrollin e plotë të prodhimit të kartëmonedhave pa asnjë kolateral real dhe ushtria okupuese sovjetike filloi njëkohësisht të emetonte paratë e veta ushtarake, gjë që uli më tej kërkesën për pingu.

Situata filloi të ndryshojë mbas vitit 1947, dhe pavarësisht nga disa masa drastike për të stabilizuar monedhën, i vetmi ilaç ishte futja e një monedhe të re, “forinta”, e cila kishte një konvertim të drejtpërdrejtë në ar dhe në monedha të tjera botërore. Duke dalë nga kriza, arkitekti kryesor i reforma monetare, ekonomisti Istvan Varga, foli për një “mrekulli monetare hungareze”.

Jugosllavia – janar 1994. Inflacioni mujor arriti në 313.000.000 % Çmimet dyfishohen çdo: 1,4 ditë

Një rast tjetër ekstrem i hiperinflacionit është ai me dinarin jugosllav midis viteve 1993-1995. Norma më e madhe e inflacionit gjatë kësaj periudhe u regjistrua në janar 1994, kur çmimet u rritën 313 milionë për qind gjatë muajit, që është e barabartë me 64.6 për qind në ditë, me çmime që dyfishoheshin afërsisht çdo 34 orë. Gjatë gjithë periudhës së inflacionit vlerësohet se çmimet janë rritur me 5 kuadrilion për qind.

Përfundimisht, shumë biznese jugosllave refuzuan dinarin dhe marka gjermane (DM) u bë monedha jozyrtare e vendit, edhe pasi qeveria e rivlerësoi dinarin duke konvertuar 1 milion dinarë në 1 dinar “të ri”. Në 12 nëntor 1993, 1 DM = 1 milion dinarë të rinj. Deri më 15 dhjetor 1 DM ishte ekuivalente me 3.7 miliardë dinarë dhe deri në fund të muajit, në 31 dhjetor, kursi i këmbimit arriti në nivelin 1 DM = 3 trilion dinarë.

Pas një rivlerësimi të dytë, 1 dinar “i ri i ri” ishte i barabartë me 1 miliard dinarë “të rinj të vjetër” dhe pas këtij 1 DM = 6000 dinarë. Deri më 17 janar 1995, kursi i këmbimit shkoi në 1 DM = 30 milionë dinarë dhe më 24 janar qeveria prezantoi dinarin “super”, i barabartë me 10 milionë dinarë “të rinj”, duke shënuar rivlerësimin e 5-të të monedhës.

Shkaqet e inflacionit të Jugosllavisë. Shkaqet e hiperinflacionit të Jugosllavisë rrjedhin nga konflikti në rajon, krizat ekonomike lokale dhe keqmenaxhimi i qeverisjes. Pas një recesioni të shkaktuar nga huamarrja e tepërt jashtë vendit si dhe bllokimi i eksporteve në vitet 1970, Jugosllavia, përgjatë viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90-të u zhyt në konflikte dhe luftë të ashpër politike e konfliktesh ndërnacionale. Si pasojë e një recesioni të thellë në vitet 1989 dhe 1990, falimentuan mbi 1100 firma e kompani të mesme e të mëdha. Nga 2.7 milion të punësuar, vetëm 600000 prej tyre mbijetuan në tregun e punës. Për më tepër, disa kompani që kërkonin të shmangnin falimentimin ndaluan së paguari punëtorët për muajt e parë të vitit, duke prekur rreth 500,000 individë.

Luftërat Jugosllave, shpërbërja e shtetit dhe destabilizimi i përgjithshëm i rajonit ishin faktorët kryesorë që kontribuan në hiperinflacion. Keqmenaxhimi i qeverisë, duke përfshirë politikat ekonomike të konceptuara keq, si shtypja e pakufizuar e parave, gjenerimi i deficiteve të mëdha dhe vendosja e kontrolluar e çmimeve, sidomos detyrimet për të shitur me cmime të ulta të vendosura nga qeveria, e përkeqësuan akoma më shumë situatën. Qeveria gjithashtu filloi të blinte artikuj nga jashtë në vend që të hiqte kontrollet e çmimeve dhe të lehtësonte furnizimin, shpërndarjen dhe problemet monetare të vendit. Ndërsa oferta u tkurr në mënyrë dramatike, çmimet shpërthyen pasi mallrat u bënë gjithnjë e më të pakta.
Në rastin e Jugosllavisë, çekuilibri drastik i ofertës dhe kërkesës, i kombinuar me një qeveri të lëkundur dhe shtypje të pakontrolluar të monedhës ishin shkaqet kryesore të inflacionit masiv të vendit.

Zimbabwe 2008 – një histori spetakolare hiperinflacioni. Niveli mujor i inflacionit : 79.600.000.000.000 %

Në dhjetëvjeçarin 2000-2009, Zimbabwe, shtet i vendosur në jug të kontinentit afrikan, më shumë se çdo gjë tjetër u bë simbol i fenomenit të hiperinflacionit. Vendi i varfër prej 13.5 milion banorësh, me një ekonomi tepër të brishtë të bazuar kryesisht te minierat dhe bujqësia, dhe me të ardhura vjetore për frymë prej vetëm 200 usd (viti 2008) ka hyrë në analet e krizave financiare e monetare si shembulli më tipik i humbjes totale të kontrollit mbi masën monetare në qarkullim, si vendi me politikat më voluntariste e naive porsa i përket aktivitetit apo rolit të Bankës qëndrore dhe emetimit pa asnjë kriter të parasë në qarkullim. Inflacioni u rrit me një kurbë eksponenciale duke arritur shifrën e 231 000 000% në vitin 2008 . Situata u qetësua vetëm në prill të vitit 2009, kur qeveria e Zimbabëe vendosi që ta braktiste monedhën e saj “dollar zimbabëen” në emër të rand-it jug-afrikan dhe dollarit amerikan.

Hiperinflacioni u shfaq në fund të viteve 1990, kur si pasojë e një reforme agrare radikale të ndërmarrë nga qeveria e Robert Mugabe-s, të gjitha fermat bujqësore që ju përkisnin të bardhëve, të cilat zinin mbi 45% të tokave bujqësore më produktive të vendit, u konfiskuan dhe ju dhanë falas banorëve zezakë autoktonë. Por, më shumë se sa një reformë agrare e mirëfilltë dhe me objektiva të qarta ekonomike e zhvilluese për vendin, ajo ishte një instrument politik i përdorur për të vendosur autoritetin e qeverisë në territorin e vendit. Prodhimi bujqësor që vinte nga këto ferma mjaft të mekanizuara e produktive jepte rreth 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit dhe garantonte jo vetëm nevojat ushqimore të brendshme por dhe një pjesë të rëndësishme të eksporteve.
Ndërkohë, si pasojë e reformës agrare me frymëzim politik e nacionalist, këto toka u parcelizuan dhe fragmentarizuan në ekstrem dhe ju dhanë militantëve politikë, njerëzve të afërt me qeverinë dhe Presidentin apo fshatarëve të varfër zezakë që nuk kishin asnjë njohuri teknike, organizative apo burime financiare për mbajtjen dhe zhvillimin e tyre. E gjithë popullsia e bardhë që i kultivonte që prej një shekulli këto plantacione emigroi në masë drejt Australisë, Afrikës së Jugut apo Anglisë.

Kriza agraro-ushqimore u shndërrua shpejt në krizë politike dhe diplomatike. Brenda disa viteve, Zimbabwe nuk arrinte të plotësonte më shumë se 40% të nevojave të saj ushqimore duke rrezikuar kriza urie dhe kërkuar ndihmë nga “Programi ushqimor botëror”, ndërkohë që para viteve 2000, vendi konsiderohej si “hambari i drithërave të Afrikës australe”.

Në vend u ndez një luftë e ashpër politike ndërmjet qeverisë dhe përkrahësve të Presidentit Robert Mugabe që vazhdonte në qëndrimet e tij revolucionare nacionaliste totalisht anti-perëndimore dhe opozitës e cila shikonte në sanksionet e ashpra ndërkombëtare shkaqet e krizës së rëndë ekonomike që po kalonte vendi. Niveli i papunësisë arriti në 70%, ndërkohë që investimet e huaja u bënë gjithnjë e më të rralla duke bërë që një numër i madh minierash, uzinash e fabrikash të bllokoheshin. Rënie drastike pësoi dhe turizmi, si pasojë e qëndrimeve dhe frymës së përgjithshme “kundra të bardhëve” që mbizotëronte në vend. Edhe thirrja e Mugabe për të bërë vendin “tokë të turistëve kinezë” nuk pati asnjë sukses. Financat publike u dobësuan shumë dhe deficiti buxhetor arriti shifra tejet alarmante. Arka e shtetit ishte thuajse bosh.

Qeveria Mugabe e mori tërësisht nën komandën e saj Bankën Qëndrore duke e detyruar që të emetonte masivisht para. Shteti filloi të financonte shpenzimet e tij duke emetuar bono thesari të cilat duhet tja blinte Banka Qëndrore nëpërmjet prerjeve të reja monetare në dollarë zimbabwe-n. Banka Qëndrore u bë një makinë e madhe fabrikuese parash duke humbur me shpejtësi çdo lloj kontrolli mbi masën monetare në qarkullim. Gjatë viteve 2001-2007, personeli i Bankës u rrit me 120% duke kaluar nga 618 vetë në 1360 punonjës, rritja më madhe në botë për një bankë qëndrore. Shteti mori totalisht kontrollin mbi emetimin e parave duke e spostuar vendimmarrjen e Bankën Qëndrore nga ky rol.
Të gjitha institucionet financiare të vendit si fondet e pensioneve, kompanitë e sigurimit, shoqëritë e kreditit, bankat tregëtare,etj., u detyruan të blinin bono thesari me përqindje minimale interesi, apo të hapnin llogari depozitash pa interes pranë Bankës Qëndrore. Inflacioni që deri në atë kohë kishte qenë i lartë por relativisht i kontrollueshëm në nivelet 32% në vitin 1998 dhe 59% në 1999, shpërtheu për të mos u ndalur më. 208% në shkurt 2002, 1042.9% në maj 2006, për të arritur në 100 000% në janar 2008. Inflacioni vjetor në periudhën korrik 2007-korrik 2008 kapi shifrën marramendëse prej 231 000 000%, duke bërë që edhe vetë cilësimi “hiperinflacion” të dukej i vogël dhe i pamjaftueshëm për të karakterizuar fenomenin. Autorë të ndryshëm e çojnë në 80 000 000 % këtë shifër. Për të pasur një ide më të qartë të situatës mjafton të përmendet fakti se inflacioni rritej çdo ditë me 98%, se çmimet dyfishoheshin çdo 25 orë. Hiperinflacioni provokoi një ç’vlerësim drastik të kursimeve individuale dhe kapitalit të institucioneve financiare duke i bërë mjaft negative përqindjet reale të interesit.