Policia identifikon një të dyshuar për ndezje të zjarreve masive në Vushtrri

Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka njoftuar se, ka pasur suksese në shuarjen zjarreve që kanë përfshirë disa hektarë tokë në Vushtrri.

Tutje në njoftimin e tyre thuhet se “zyrtarët policorë në Vushtrri së bashku me njësitë e zjarrfikësve angazhohen në lokalizimin e zjarreve masive dhe identifikojnë një person të dyshuar”.

“Në konsultim me prokurorin, i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit ndërsa është iniciuar rasti ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Gjithashtu janë iniciuar edhe dy raste tjera për veprën e njëjtë penale, kurse hetimet do të vazhdojnë në drejtim të identifikimit të personave tjerë të mundshëm të dyshuar”.

Zjarri

Gjatë të enjtes së 21 korrikut në Vushtrri janë paraqitur disa raste të zjarreve në lokacione të ndryshme. Policia e Kosovës më të pranuar informacionin menjëherë kanë dalë në terren për t’u angazhuar në lokalizimin e zjarreve.

 

Policia e Kosovës

“Në një lokacion, zyrtarët policorë kanë identifikuar një zjarr i cili ishte afruar afër shtëpive të banuara ku dhe janë njoftuar zjarrfikësit të cilët kishin qenë të angazhuar në disa zona tjera dhe deri në momentin kur zjarrfikësit kanë arritur në lokacionin në fjalë zyrtarët policorë së bashku me disa qytetarë kishin arritur që të lokalizojnë zjarrin që kishte përfshirë dy shtëpi të pabanuara dhe u ishte afruar shtëpive tjera të banuara. Falë intervenimit të shpejtë të policisë, të gjithë banorët e rrezikuar janë evakuuar pa ndonjë lëndim”, thuhet në postimin e tyre në  Facebook.

Sipas policisë, pas shuarjes së zjarreve, gjendja i është rikthyer normalitetit.