Roxher Federer, regjistron humbje prej 200 milion dollarësh!

Roxher Federer një kohë të gjatë është jashtë fushës dhe lëndimi i gjurit ka shkaktuar dyshime nëse ai do të luajë sërish tenis. Ndërkohë sipas informacioneve të fundit zvicerani nuk po shkon mirë as në fushën e biznesit.

Mediat në Zvicër pretendojnë se Federeri ka humbur një pasuri të vërtetë viteve të fundit, pas një investimi të keq në vendlindje, në kompaninë e pajisjeve sportive “ON” me bazë në Cyrih. Megjithëse përqindja e pronësisë së tenistit legjendar nuk zbulohet zyrtarisht, shifrat e humbjes totale të tij në bursë janë të mëdha.

“Vlera e aksionit ishte 39,95 dollarë dhe ndërkohë ka rënë në 17,37 dollarë. Humbjet janë të mëdha, por jo vetëm në këto aksione. Sipas disa përllogaritjeve, Federer ka pësuar një humbje prej rreth 200 milionë dollarësh. Duhet theksuar se këto shifra nuk do të thotë se ai është një biznesmen i keq, sepse lufta në Ukrainë pati një ndikim serioz edhe në lëvizjen e bursës. Prandaj, këto 200 milionë janë humbje momentale, por situata mund të përmirësohet”, shkruajnë mediat zvicerane për Federerin.