E diela e parafundit e gushtit nga qytetarët po kalohet nën hije të drunjve, ose duke u freskuar sikurse një i mitur, i cili është freskuar në “shatërvanin” e ndërtuar në sheshin “Skendërbeu”, në Prishtinë.
Shumica e qytetarëve në Prishtinë gjatë së shtunës kanë zgjedhur alternativën e tretë, qëndrimin në shtëpi.
Diskutimi që të paktën ka mbizotëruar në rrjetet sociale, është pyetja sa ishte temperatura maksimale sot? Përgjigja është 39 gradë celsius.
Për grumbullimin e këtyre të dhënave para e pas orarit të rregullt punojnë një grup i ekspertëve.
“Në të gjithë territorin e Kosovës jemi vetëm pesë persona që e punojmë këtë punë, me parashikim vetëm unë merrem”, ka deklaruar Besim Aliu, parashikues i motit në IHK.
Aliu për një kohë të gjatë punon si parashikues i motit, në qendrën e Institutit Hidrometeorologjik në Ferizaj.
Punën e kryen me shumë vullnet por ka ankesa për trajtimin ndaj tij dhe katër kolegëve të tjerë.
“Nëse bëjmë krahasim me Aeroportin e Prishtinë, të cilët janë po ashtu nën ombrellën e Ministrisë sonë, ata janë me staf 19 njerëz punojnë në një pikë, kurse ne në të gjithë territorin punojnë vetëm pesë njerëz. Krahasuar me paga jemi për katër fish krahasuar me personat që punojnë në Aeroport”, ka deklaruar Aliu.

Sa i përket aeroportit të Prishtinës edhe nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, e pranojnë se në Departamentin Meteorologjik kanë 19 punonjës.
Megjithatë, sipas zëdhënësit në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror, Driton Ujkanit, punojnë sipas standardeve dhe janë agjenci e pavarur.
“Këta nëpunës nuk janë të punësuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe as në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Nëpunësit e Departamentit Meteorologjik janë të punësuar në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, dhe pagën e realizojnë po përmes ASHNA-së. ASHNA është organizatë e pavarur buxhetore, e cila të hyrat i realizon përmes tarifës terminale, dhe paguhet nga operatorët të cilët e shfrytëzojnë Hapësirën Ajrore të Kosovës, rrjedhimisht realizojnë fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, ka deklaruar Ujkani.
Megjithatë Departamenti Meteorologjik nuk është i vetmi në të cilin ka mungesa Instituti Hidrometeorologjik.
“Instituti qysh në vitin 2003 ka pasur 25 punëtorë ndërsa tash i ka gjithsej 16 pra është në zvogëlim e sipër. Po të pyetem unë se si do të duhet të dukej, do të duhet të ishte dyfishi i tyre. Për shkak se gjithmonë ka shkuar duke u rritur aktiviteti i tyre në institut”, ka thënë Agron Shala, ushtrues i detyrës së drejtorit në Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.
Shala ka shtuar se nga Ministria e Infrastrukturës kanë marrë premtime për zgjidhje, por jo edhe afate të caktuara kohore.
As për RTV Dukagjini nga kjo Ministri nuk kanë treguar se a janë të njoftuara për këtë çështje dhe si planifikojnë ta zgjidhin.
Pa një zgjidhje nga shteti në parashikim të motit do të mbeten pesë punonjës, të cilët madje përkujdesen edhe për kositjen e barit nëpër nën-stacionet, punë e cila nuk ju takon atyre.