U shkarkua nga pozita e drejtorit të AME-së, Kodra dorëzon kallëzim penal ndaj Sveçlës

Ish-drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Fadil Kodra përmes avokatit të tij Faton Fetahu, ka dorëzuar të premten në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kallëzim penal ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në kallëzimin penal që Kodra e ka bërë përmes avokatit Fetahu, akuzon ministrin Sveçla për cenim të të drejtave të marrëdhënies së punës dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar.

Telegrafi ka siguruar kallëzimin penal që Kodra ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Personi i kallëzuar, në cilësi të personit zyrtar, përkatësisht si titullar i institucionit qeveritar, me dashje dhe në kundërshtim me autorizimet e tij ligjore dhe legjislacionin në fuqi, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022, përmes të cilit, ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi qe i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emërimit të z. Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-se, me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.01.2018”, thuhet në kallëzimin penal.

Tutje në kallëzim penal thuhet se “më date 14.07.2022, Ministri z. Sveçla ka nxjerrë Vendimin nr. 0530/2022, përmes të cilit, ka caktuar Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të AME-së, z. Shefki
Abdullahu, në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-së, deri në plotësimin e kësaj pozite sipas legjislacionit përkatës në fuqi, vendim i cili cenon në mënyrë direkte marrëdhënien e punës së z. Kodra, rrjedhimisht ndërpret marrëdhënien e punës së tij, si Drejtor i Përgjithshëm i AME-së, nga njëra anë, si dhe po ashtu si zyrtar publik, nga ana tjetër”, thuhet tutje në kallëzimin penal.

Avokati i Kodrës shkruan në kallëzim penal se dëmi që e ka shkaktuar Sveçla sipas tij, tejkalon shumën e 5 mijë eurove dhe thotë se ajo që ka bërë ministri i rendit është e dënueshme me gjobë dhe burgim prej 3 deri në 10 vjet burgim.

Avokati Fetahu në një deklaratë për Telegrafin ka bërë të ditur se ka parashtruar ankesë edhe në Këshillin e Pavarur Mbikqëyrës (KPMShCK).

I njëjti ka bërë të ditur se lidhur me këtë vendim të ministrit Sveçla, përmes një emaili klienti i tij Fadil Kodra kishte njoftuar edhe kryeministrin Albin Kurti.

Në emailin që Kodra i ka dërguar Kurtit e të cilin e ka siguruar Telegrafi shkruan se “Përmes këtij e-maili, ju njoftoj se ministri i Punëve të Brendshme, z. Sveçla, ka nxjerrë dy vendime më datën 14 korrik 2022, sipas të cilëve, pretendon që në mënyrë të kundërligjshme të ma ndërpresë marrëdhënien time të punës, si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent.

Edhe përkundër faktit që jam emëruar Drejtor i Përgjithshëm i AME-së me Vendimin nr. 02/25 të Qeverisë së Kosovës, Ministri i MPB-së, Sveçla ka nxjerrë dy vendime të kundërligjshme, ku nga njëra anë, ka nxjerrë Vendimin nr. 0529/2022, të datës 14.07.2022 (të cilin e kam pranuar në të njëjtën ditë përmes e-mailit), përmes të cilit ka shfuqizuar Vendimin nr. 107/2015, të datës 13.03.2015, edhe pse në rrethanat e rastit konkret, vendimi i shfuqizuar nuk është prej vitesh në fuqi, pasi i njëjti është shfuqizuar ipso-jure (automatikisht) me rastin e emërimit tim në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-së, ndërsa nga ana tjetër, ka nxjerrë vendimin nr. 0530/2022, të datës 14.07.2022, përmes të cilit ka caktuar Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të AME- së, Abdullahu, në pozitën e zëvendësuesit të Drejtorit të Përgjithshëm të AME-së, rrjedhimisht më është ndërprerë marrëdhënia ime e punës (si Drejtor i Përgjithshëm i AME-së)”.

Kodra përmes këtij emaili njofton Kurtin se ka dorëzuar ankesë edhe në KPMSHCK.

“Ndërsa sot, po ashtu, më duhet t’ju njoftoj që kam bërë ankesë në KPMSHCK, duke i sfiduar këto vendime të kundërligjshme. Pra kam parashtruar ankesë ndaj këtyre vendimeve, ankesë e cila në kuptim të nenit 130 (Efektet e parashtrimit të ankesës) të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, e pezullon edhe zbatimin e këtyre akteve arbitrare”, thuhet në emailin që Kodra i ka dërguar Kurtit.

Kodra i kishte dërguar email edhe ministrit Sveçla ku i tregon për pamundësinë e zbatimit të vendimit për shkarkimin e tij, e për rrjedhojë edhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës si Drejtor i Përgjithshëm i AME-së.

“Nëse nuk e keni ditur, ju lutem keni parasysh që e drejta për mjete juridike është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, prandaj, në kuptim edhe të nenit 13 të ligjit të cekur më sipër, kam shfrytëzuar mjetet ligjore kundër këtyre vendimeve që në mënyrë të pashembullt dhe joligjore kanë cenuar interesin dhe të drejtën time në marrëdhënie të punës.
Në këtë kuptim, meqenëse dispozita e paragrafit të parë të nenit 130, shprehimisht ka karakter suspensiv ndaj vendimit të kundërligjshëm, vendimet tuaja mund t’i zbatoj vetëm pas marrjes së vendimit përfundimtar nga ana e KPMSHCK, por jo më herët ashtu siç çdo veprim i juaji pas efektit pezullues që ka ankesa, do të përbënte vepër tjetër penale.”, thuhet në emailin e Kodrës drejtuar Sveçles.