Seladin Xhezairi: Akademikët maqedonas si ata serbë, shpikin rrezik nga shqiptarët!

Pothuajse paralelisht me reagimin e akademik Abylmenaf Bexhetit, ka qenë një shkrim i analistit Seladin Xhezairi për portalin KDpolitik.mk, i cili ka vënë njësoj në shënjestër deklaratat publike të kryetarit të AMSHA-s, Lupço Kocarev dhe akademikes Katica Qullafkova. Sidomos e ka vënë shënjestrën në faktin se theksin ata e kanë vënë te shqiptarët.

“Në vlugun e përplasjeve për shkak të çeljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe gjithë asaj që i parapriu këtij hapi historik, javën që lamë pas, anëtarja e MANU-së, Katica Qullavkova, e pyetur se si ka për t’u quajtur ky institucion i lartë – Akademia Kombëtare e Shkencave dhe e Arteve apo Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Maqedonisë së Veriut, pa një pa dy, drejtoi gishtin, jo nga Marrëveshja e Prespës, jo nga Athina, por nga – shqiptarët, përkatësisht nga ‘Platforma e Tiranës’!”-shkruan Xhezairi për portalin.

“Qullavkova në intervistën për Kanal5 qëllimisht i bishtnon detyrimit për ndryshimin e emrit që del nga Marrëveshja me Greqinë dhe argumenton kundër kërkesës së shqiptarëve që emrat e institucioneve të reflektojnë përbërjen etnike të popullsisë. Për më tepër ajo bëhet zemërgjerë dhe u tregon udhën shqiptarëve që të bëjnë, sikurse thotë krijuesja dhe studiuesja e letërsisë, akademinë e tyre të tretë!”, nënvizon autori i shkrimit “Thirravajet e akademikëve maqedonas”.

Xhezairi bën një analogji midis akademisë serbe dhe kësaj maqedonase, në kontekst të një paradoksi të përbashkët. S.Xhezairi pyet se çfarë e bashkon SANU-në dhe MANU-në (Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve dhe Akademinë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve)?Përgjigjet:

“Do thoni: Shkenca dhe Artet! N’cëk! I bashkojnë memorandumet që kush më shumë e kush më pak u mëshojnë shqiptarëve. Jo të tjerëve. Dhe, përderisa Memorandumi i SANU-t tashmë është emërtuar si guzhina e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, memorandumet maqedonase gëlojnë nga histeria ‘akademike’ antishqiptare! Logjika e thotë, se në shënjestër do të duhej të ishin, ta zëmë, serbët, bullgarët e grekët, për shkak se edhe nga Athina, edhe nga Sofja, edhe nga Beogradi, historikisht kanë ardhur stuhi e shtrëngata politiko-ushtarake për të mbytur e zhbërë ‘punët maqedonase’, ndërkohë që nga shqiptarët, po ashtu, historikisht nuk ka munguar dora e bashkëpunimit. Thuaja se shqiptarët kanë ndërmarrë ndonjë pogrom, thuaja se shqiptarët kanë tentuar e tentojnë ndryshimin e historisë kombëtare të bashkëqytetarëve tanë maqedonas!”

(Kolumnën e plotë të autorit mund ta lexoni në linkun: https://kdpolitik.com/2022/07/26/zigzag-thirravajet-e-akademikeve-maqedonas/)