Pas largimit të fotoreporterve të mediumeve sportive, në fund të pjesës së parë të duelit në mes Shkëndijës dhe Valmeria-s nga Liga e Konferences, ka reaguar edhe skuadra tetovare më një kumtesë për mediat. Shkëndija potencon se Agjencia për Sigurim, me parandalimin e lëvizjes së fotoreporterëve në zonat a garantuara, vetëm se ka zbatuar rregullat e vendosura nga UEFA.
Kumtesa e plot nga KF Shkëndija
“Në lidhje me shkrimet në disa mediume për reagimin e fotoreporterëve të mediumeve sportive, të pranishëm në ndeshjen ndërmjet KF Shkëndijës dhe KF Valmiera nga Letonia, të zhvilluar më 28.07.2022 (e enjte), KF Shkëndija e ndjen për obligim të njoftojë opinionin se sipas rregullave të UEFA-së, të parapara në Protokollin për organizim të një ndeshje futbollistike, fotoreporterët në ndeshje akreditohen për zonën numër 2, e sipas protokollit të sipërpërmendur, fotoreporterët nuk mund të lëvizin në zonën numër 1.
(Shih foto 1 dhe 2).
Agjencia për sigurimin e ndeshjes është e obliguar, nga fillimi e deri në përfundim të ndeshjes, të kujdeset që në përpikëri të respektohet Protokolli për organizimin e ndeshjes nga ana e të gjithë të pranishmëve në stadium.
Kjo posaçërisht duke marrë parasysh që për çdo lëshim gjatë organizimit të ndeshjes vijon dënimi nga ana e delegatit të UEFA-së, i cili ishte i pranishëm në ndeshjen e sipërpërmendur.
KF Shkëndija është klub serioz që kujdeset për respektimin në përpikëri të të gjitha pikave të parapara në Protokollin për organizimin e ndeshjes, posaçërisht duke marrë parasysh që për mosrespektimin e të njëjtit vijojnë dënime nga UEFA, thuhet në kumtesën e KF Shkëndija.