Ahmetxhekaj: Ne futemi në ndeshje vetëm për fitore

Klubi i hendbollit “Istogu”, tash e disa kohë është shndërruar në një skuadër e cila po i sjell fitore jo vetëm qytetit të Istogut por edhe gjithë Kosovës.

Ky klub rrugëtimin e tij e ka filluar nga viti 2014, ndërsa puna dhe angazhimi i madh i trajnerit së bashku me lojtarët kanë bërë që kjo skuadër të kualifikohet dhe të bëhet pjesë e superligës së Kosovës.

Njëherësh, me kualifikimin në superligë, klubit i është rritur edhe përgjëgjësia dhe angazhimi për të qëndruar në këtë kategori.

Suksesi më i madh i kësaj skuadre ka qenë fakti që ka përfaqësuar Kosovën në Evropë në mesin e 16 skuadrave më të mira.

Por, padyshim që mbrapa një pune dhe përkushtimi që ka sjellur rezultate jashtëzakonisht të mira qëndrojnë pjesa më e rëndësishme e këtij klubi, e që janë lojtarët e kësaj skuadre që luajnë një rol të rëndësishëm në çdo ndeshje.

Blerta Ahmetxhekaj, është një vajzë e re por mjaft e suksesshme në punën e saj. Ajo qëndron sikurse figura më e sulmuar nga ekipa kundërshtare në çdo përballje.

Në një intervistë për portalin Dukagjini, Ahmetxhekaj ka shpalosur momente nga përvoja e saj në këtë klub të hendollit.

Ajo ka thënë që nga ky sport ka përfituar shumë gjëra.

“Pas inkuadrimit të sportit në përditshmëri, mënyra e jetesës më ka ndryshuar në shumë aspekte, avantazhi kryesor që kam marr nga sporti është që të mëson të kesh jetë të disiplinuar, t’i sistemosh gjërat dhe patjetër të kesh jetë të shëndosh”, ka thënë portierja.

Blerta Ahmetxhekaj, KHF Istogu

Por, pjesa më e rëndësishme e një loje është të triumfojnë si fituese, por, si i cilëson pjesëtarja e skuadrës së Istogut fitoret dhe humbjet në një ndeshje?

“Fitoret dhe humbjet janë pjesë të lojës, është shumë e rëndësishme që humbjet t’i shfrytëzosh në mënyrë pozitive dhe të gjesh motiv për të punuar më shumë për të arritur të fitorja. Fitoret janë si pjesë shpërblimi për punën, stërvitjet dhe kohën e shpenzuar, gjithashtu për mua përveç se të fitosh është shumë e rëndësishme të zhvillojë lojë të mirë”, ka shtuar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka folur edhe për sezonën e lojrave që kanë zhvilluar këtë vit, lojëra të cilat i kanë shpallur fituese të kupës së Kosovës për të katërten herë dhe kampionë të Kosovës për herën e dytë, që nga involvimi i tyre në këto gara.

Ajo ka theksuar se motivi kryesor kësaj radhe ka qenë fakti që ndeshjet i kanë zhvilluar në Istog.

“Kjo sezonë na ka shkuar ashtu siç kemi planifikuar, kemi fituar secilën ndeshje që kemi pasur dhe kemi arritur ta përmbyllim sezonën me trofe të dyfishtë. Motivet janë të shumta, por është shumë e rëndësishme që kemi arritur të ndërtojmë një mentalitet fitues, ne futemi në ndeshje vetëm për fitore. Një ndër motivet kryesore gjatë këtyre sezonave që ndeshjet i zhvillojmë në Istog kanë qenë përkrahësit tonë, të cilët janë gjithmonë aty për t’i duartrokitur ndeshjet tona”, është shprehur Ahmetxhekaj.

Blerta Ahmetxhekaj, KHF Istogu

Kur jemi tek përballjet që kanë zhvilluar me skuadrat e tjera qoftë në vend por edhe jashtë kufijëve ajo ka veçuar disa nga ndeshjet të cilat kërkojnë përgjëgjesi më të madhe.

“Ndeshje të rëndësishme janë ndeshjet evropiane të cilat i luajmë tash e sa vite me radhë, ndeshjet me Kombëtaren e Kosovës, gjithashtu ndeshjet e Final4 dhe te Play Off-it, janë ndeshje në të cilat përgjegjësia është shumë e madhe dhe kjo ndikon në ngritjen e eksperiencës dhe në ngritje profesionale”, ka thënë portierja.

Ajo gjithashtu ka dhënë një mesazh se praktikimi i aktiviteteve fizike ka rëndësinë dhe dobitë e tij duke ndikuar në shëndetin mendor dhe zgjidhjen e problemeve.

“Është e padiskutueshme që sporti të ndihmon shumë në mënyrën e çasjes ndaj problemeve të ndryshme, të mëson t’i përballosh sfidat dhe të mos dorzohesh. Gjithashtu aktivitetet fizike, pavarësisht llojit të sportit përveç të mirave fizike, ndikojnë shumë edhe në shëndetin mendor të njeriut, prandaj do ua kisha rekomanduar të gjithëve pavarësisht moshës të merren me ndonjë aktivitet fizik”, ka shtuar pjesëtarja e KHF “Istogu”.

Blerta Ahmetxhekaj, KHF Istogu

Por, cili është sekreti i kësaj skuadre që ka arritur të ketë këtë sukses?

“Istogu është skuadër e cila punon në mënyrë profesionale, stërvitemi çdo ditë. Disiplina, puna, motivi dhe bashkëpunimi në mes stafit dhe vajzave të klubit kanë arritur ta sjellin ekipën në një skuadër të pamposhtur dhe duke lënë anash modestinë, në një skuadër shembull në Kosovë”, ka theksuar Ahmetxhekaj.

Roli që ka ajo në këtë klub dhe në ndeshjet e zhvilluara përbën një pjesë të madhe qoftë për humbje apo fitore, por a ka marrë ndonjë ofertë që të bashkangjitet dhe të vazhdojë karrierën sportive në ndonjë klub tjetër?

“Skuadra e Istogut është skuadra në të cilën kam marrë hapat e parë të karrierës, është skuadër në të cilën kam fituar të gjithë titujt e mundshëm duke filluar nga grupmoshat deri te skuadra e parë. Kam oferta por momentalisht do të vazhdoj të jem pjesë e Istogut”, ka përfunduar ajo.

Peshën më të madhe sa i përket stërvitjeve dhe përgatitjeve për gara të ndryshme që kjo skuadër merr pjesë e ka trajneri i këtij klubi Faruk Shala, i cili në një intervistë për portalin Dukagjini ka treguar sfidat kryesore me të cilat përballen që një kohë të gjatë.

Faruk Shala, Trajner në KHF Istogu

“Kemi tri sfida me të cilat ne ballafaqohemi vazhdimisht dhe në mënyrë të paevituar. Fillimisht infrastruktura sportive, salla e sporteve në Istog që është në gjendje të keqe pa mirëmbatje dhe rreth 40% është jo-funksionale për shkak të defekteve të shumta dhe shumë punëve që asnjëherë nuk kanë arritur të përfundojnë. Pastaj mungesa e buxhetit të mjaftushëm, mungesa e mjaftushme e përkrahjes sidomos asaj institucionale, dhe normalisht lëndimet sportive që janë pjesë e pa ndashme e sportit por nganjëherë të sjellin shumë vështirësi edhe prefesionale, dhe sfida tjetër me të cilën ballafaqohemi është investimi për rehabilitimin e të lënduarave dhe investimi për zëvendësimin e tyre me lojtare adekuate”, ka thënë Shala.

Më tej, ai ka treguar se cili ishte faktori kryesor që Istogu ka marrë titullin kampion këtë vit.

“Mendoj që faktori kryesor pse kemi arritur të shpallemi kampion të Kosovës dhe fitues të kupës në këtë sezon shumë të vështirë për ne, është kontuniteti i punës profesionale, do të thotë nga ndeshja e parë kemi krijuar kontiniutet i rezultateve dhe e kemi pasur të qartë atë se çfarë dojmë, dhe kemi punuar me përkushtim që të arrijmë të fitojmë 30 ndeshje radhazi pa bumbje që na ka sjellur të dy trofet”, ka shtuar trajneri.

Por, çfarë e ka motivuar Shalën që të mos dorëzohet për asnjë moment për të arritur rezultatin që sot e gëzojnë si klub i hendollit.

“Po gjithmonë na ka motivuar dëshira për fitore dhe dashuria ndaj qytetit. Ne si klub e kemi kultivuar në skuadrën tonë një frymë që pikërisht ne do të jemi ata që mund ti sjellim qytezës sonë trofe kur askush nuk e ka pritur. Ndërsa kur kemi arritur këtë atëherë na ka motivuar ambicia dhe dëshira që ta mbajm Istogun gjatë në nivel të lartë, dhe kjo ka bërë që të arrijm të sjellim shumë trofe në qytetin tonë, pra gjithsej 21 me të gjitha kategoritë”, ka thënë ai.

KHF Istogu

I pyetur se çfarë rëndësie kanë pasur humbjet për këtë skuadër, ai ka thënë se dështimet kanë qenë një mësim për ne.

“Çdo skudër ka edhe dështime gjatë rrugëtimit sportiv gjë e cila për ne është njëri prej faktorëve që sot gëzojm këtë sukses, sepse çdo eksperiencë që kemi kaluar na ka mësuar diqka të re dhe mund të them që me punën e pandalshme dhe fitoret e vazhdueshme ne jemi një skuadër e trofeshme”, ka përfunduar trajneri i KHF Istogu, Faruk Shala.