Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka përgëzuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët që nga mbrëmja e së dielës janë vendosur në pikat kufitare dhe po mbrojnë rendin dhe sigurinë e vendit.
Ai ka bërë të ditur se nga zhvillimet e djeshme në veri të vendit, 11 qytetarë që janë lënduar kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkaq ai ka njoftuar se janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe Policisë së Kosovës nga strukturat ilegale kriminale të armatosura, për të cilat Policia e Kosovës ka filluar hetimet.
Sipas informacioneve të fundit, Sveçla ka thënë se disa barrikada tashmë janë larguar dhe një pjesë e barrikadave të tjera kanë filluar të largohen.
Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Sveçla ka bërë të ditur se qysh në orët e mëngjesit të së hënës ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje.
Sveçla ka thënë se ky proces është duke vijuar pa pengesa për dallim nga pala serbe, e cila sipas tij, për 11 vjet rresht ka përdorur një metodë presioni për qytetarët e Kosovës që kanë hyrë në Serbi.
“Për shkak të dezinformatave të këtij procesi, dua të siguroj qytetarët e Kosovës se dokumenti për hyrje-dalje do të zëvendësojë dokumentin për identifikim, vlefshmëria është 90 ditë”, ka thënë Sveçla.
Ndërkaq, ai ka thënë se i gjithë ky proces po vijon në bashkërendim të ngushtë mes njësiteve policore, që janë të vendosura në pikat kufitare si dhe në mes të stacioneve policore, të cilët siç thotë ai, këtë po e bëjnë me qëllim të përfundimit të sukseshëm të këtij aktiviteti dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Ndër të tjera, Sveçla ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë, partitë politike për unitetin politik dhe Policinë e Kosovës për gatishmërinë dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit gjatë ditës së diel për tensionet në veri të vendit.