Kurti falënderon ambasadorin e Katarit për përkrahjen e dhënë ndaj Kosovës

Të martën e dy gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se potenciali për rritje të bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve ishte në qendër të takimit.

Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Katarit, ambasadori Al-Marri ka theksuar përkushtimin e tij për t’i konsoliduar edhe më tej këto marrëdhënie në frymën e bashkëpunimit, në të gjitha fushat.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e dhënë për Republikën e Kosovës, si dhe për mbështetjen e dhënë në skenën ndërkombëtare.

Duke theksuar indikatorët pozitivë ekonomikë në vend, Kurti po ashtu ka theksuar gatishmërinë e Qeverisë për shtim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të shkëmbimeve tregtare.

Në takim është biseduar për mundësitë që ofron vendi për investime në sektorët me interes për të dyja vendet.

Ambasadori Al-Marri ka falënderuar kryeministrin Kurti për pritjen, duke thënë se Republika e Kosovës është shtet mik.

Ai, gjithashtu, ritheksoi vullnetin dhe angazhimin e tij për të rritur bashkëpunimin edhe më tutje.

FOTO: ZKM, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me ambasadorin e Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri

Po ashtu edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Katarit, takim në të cilin ajo ka theksuar se Kosova ofron një mjedis të përshtatshëm për investime të huaja, ndaj ka kërkuar nga ambasadori që investitorët nga Katari ta shohin mundësinë e investimeve eventuale.

Po ashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në takim me ambasadorin e Katarit ka diskutuar për mundësitë dhe format e bashkëpunimit në fushën e shërbimeve shëndetësore ndërmjet dy vendeve, duke marrë për bazë marrëdhëniet e shkëlqyera reciproke diplomatike.