Të mërkurën e tre gushtit, në seancën e Kuvendit të Kosovës, me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar Rezoluta e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës(AAK) në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Deputetët e opozitës, gjatë diskutimeve të tyre e kritikuan edhe pushtetin aktual për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj ka thënë se për mosliberalizimin e vizave nuk mund të fajësohet vetëm Bashkimi Evropian, por edhe Qeveria që është në pushtet.
Ndërsa Pal Lekaj, nga Aleanca e Ardhmërisë së Kosovës(AAK), ka thënë se agjenda prioritare për të gjitha qeveritë në Kosovë ka qenë plotësimi i kushteve për liberalizim të vizave.

Sipas tij, e gjithë pesha e përgjegjësisë koncentrohej në barrën e qeverive paraprake.
Ndërsa, siç thotë ai që nga ky moment përgjegjësia kalon në organet e vendimmarrjes të Bashkimit Evropian.
Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të ketë një Rezolutë, përmes së cilës, duhet të ngritet kjo çështje për një vendim meritor dhe sa më të shpejtë.

“Ne, deputetët e Kuvendit të Kosovës, zotohemi se do t’i shpiejmë përpara të gjitha reformat që garantojnë shtetin e së drejtës, nismat kundër korrupsionit, projektet për punësim e zhvillim, mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve, garancinë për institucionet e pavarura, dhe garantimin e çdo standardi evropian mbi të dhënat personale dhe gjendjes civile, kontrollin e trafikimit me qenie njerëzore dhe luftimin e pakompromis të të gjitha formave të trafikimit me narkotik”, ka thënë Tahiri.
Ai u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të kenë besim në Republikën e Kosovës “si një prej partnerëve më të devotshëm në përqafimin e vlerave dhe standardeve që burojnë nga BE-ja, ku një nga shtyllat është edhe liria e lëvizjes”.
Ndërsa për rezolutën për adresimin e rritjes së çmimeve, Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorum që ta miratojë.
Tahiri thirrje BE-së për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës