Kurti takon bashkatdhetarët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti krahas zëvëndësministres së Punëve të Jashtme, Liza Gashi ka mbajtur një bashkëbisedim me bashkatdhetarët në lidhje me ndikimin që këta të fundit mund të kenë ndaj planeve të Qeverisë së Kosovës lidhur me diasporën.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se është duke punuar në krijimin e kushteve për ngritjen e investimeve nga mërgata në atdhe, dhe për transferim të dijes e përvojës nga mërgata në Kosovë.

“Nuk ka ministri që nuk ka dikë nga mërgata jonë, e ne i kemi tre ministra që i janë bashkangjitur qeverisë sonë pikërisht nga diaspora. Ministra e Shëndetësisë, ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, kanë tre veprimtarë të çështjes kombëtare, profesionistë të dalluar, të cilët janë në kabinetin tonë qeveritarë”, ka shkruar ai.

Foto nga takimi i Kurtit me bashkatdhetarët

Ndër të tjera, Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se brenda vitit pritet finalizimi i ligjit të ri për diasporën dhe strategjia për angazhimin e diasporës.

“Do ta trajtojmë edhe çështjen e votës jashtë vendit në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos mbahen sikur në të kaluarën kur duhet të votohet para se të bëhet fushata shumë më herët përmes postës ose duhet paguar biletat e shtrenjta të aeroplanit për Kosovë”.

Përgjatë ditës, Kurti kishte bërë homazhe tek përkujtimorja e 4 djemëve të rënë të familjes Lleshi.