Si qëndron raporti SHBA-Kinë pas tensioneve në Tajvan?

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Pekinin për veprime “provokative” dhe “të papërgjegjshme” pasi Tajvani njoftoi se Kina përsëriti një sulm në ishull.

Tajvani tha se iu përgjigj stërvitjeve kineze, tani në ditën e tyre të katërt, duke vendosur avionë dhe anije, të dielën.

Tensionet e rritura vijnë si rrjedhojë e një udhëtimi në Tajvan të një delegacioni amerikan të kryesuar nga demokratja e lartë, Nancy Pelosi.

Kina e sheh vizitën e Pelosit sikurse një sfidë ndaj pretendimeve të saj për sovranitet mbi Tajvanin.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit tha se anijet dhe avionët kinezë kryen misione në ngushticën e Tajvanit gjatë fundjavës, me disa që kaluan vijën mesatare.

Ushtria e Tajvanit tha se iu përgjigj “në mënyrë të duhur” ushtrimeve me zjarr të vërtetë, të cilat i përshkroi si një sulm të planifikuar në ishull, duke dërguar aeroplanë dhe anije të shumta të dielën në mëngjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur me gazetarët në Taipei, kryeministri Su Tseng-chang akuzoi Kinën për përdorimin “me arrogancë” të stërvitjeve për të prishur stabilitetin rajonal dhe bëri thirrje për përmbajtje nga pala kineze.

Pekini nuk ka komentuar mbi stërvitjet e fundit, por seria e tij katërditore e stërvitjeve ushtarake në ajër dhe dete rreth Tajvanit pritet të përfundojë të dielën.

Ndërkaq, Uashingtoni ka akuzuar Kinën për përshkallëzimin e tensioneve, transmeton “BBC“.

Avionët sulmues nga Kina

“Këto aktivitete janë një përshkallëzim i rëndësishëm në përpjekjet e Kinës për të ndryshuar status quo-në. Ato janë provokuese, të papërgjegjshme dhe rrisin rrezikun e llogaritjes së gabuar,” tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

“Ata janë gjithashtu në kundërshtim me qëllimin tonë të gjatë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, që është ajo që pret bota.”

Kina tha se vizita e zonjës Pelosi “kërcënoi” paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit.

Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të jetë nën kontrollin e Pekinit. Megjithatë, Tajvani është një ishull i vetëqeverisur që e sheh veten të dallueshëm nga kontinenti.

Por çdo aluzion për njohjen e kësaj nga liderët botërorë tërbon Kinën.

Pekini njoftoi gjithashtu se po ndalonte bashkëpunimin me SHBA-në në disa fusha kyçe, duke përfshirë ndryshimin e klimës, bisedimet ushtarake dhe përpjekjet për të luftuar krimin ndërkombëtar.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken akuzoi Kinën për “hapa të papërgjegjshëm” duke bllokuar kanalet kryesore të komunikimit me Uashingtonin.

Pelosi, një kritike e vjetër e Kinës dhe politikania më e lartë amerikane që ka udhëtuar në ishull në 25 vjetët e fundit, mbërriti në Tajvan të martën, pavarësisht paralajmërimeve të Pekinit.

Gjatë vizitës së saj, Pelosi tha se “bota përballet me një zgjedhje midis autokracisë dhe demokracisë”.

Kina e sheh ishullin e vetëqeverisur si pjesë të territorit të saj dhe këmbëngul se ai duhet të bashkohet me kontinentin, me forcë nëse është e nevojshme.

Ishulli ka kushtetutën e tij, udhëheqës të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rreth 300,000 trupa aktive në forcat e tij të armatosura.