Kurti në shtëpinë muze të familjes Qerkezi: Qëndresa e nënës Ferdonije na inkurajon e frymëzon

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shtëpinë muze të familjes Qerkezi, ku është pritur nga Ferdonije Qerkezi dhe përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Kryeministri Kurti ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve.

“Qëndresa e Nënës Ferdonije na mbanë të fortë të gjithëve, na ikurajon e na frymëzon”, ka thënë Kurti, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ferdonije Qerkezi 

“Baca Halim, Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi janë emra që i njohim të gjithë dhe i mbajmë në zemër. Janë emra të vuajtjes e dhimbjes, të humbjes e pikëllimit, jo vetëm të Nënës Ferdonije, por të gjithë popullit dhe secilit qytetar”, shtoi ai.

Gjatë kësaj vizite u rikujtua edhe protesta e para 18 viteve, për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, gjatë së cilës kryeministri Kurti, atë kohë si protestues, u arrestua bashkë me përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Duke i falënderuar për qëndresën e tyre, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje për angazhimin e nënave nga Gjakova, të cilat protestonin edhe për lirimin e të burgosurve nga burgjet serbe dhe që vazhdojnë aktivizmin e tyre, për të zbardhjen e fatit dhe të vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shtëpinë muze të familjes Qerkezi

Ndryshe, Kurti pas homazheve te përmendorja dedikuar personave të zhdukur, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, ka kërkuar hapjen e arkivave në Serbi.

Para mediave, kreu i ekzekutivit ka theksuar se prokuroria duhet të jetë më aktive dhe gjyqësori më efikas ngase, siç thotë ai, e vërteta arrihet përmes drejtësisë.