SBAShK-u adreson kërkesat drejt Qeverisë, Gola propozon forma të reja të grevës

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, ka propozuar që fëmijët të kthehen në shkollë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe të mos vendosen notat për nxënësit si formë e presionit sindikal. Ndërsa, SBAShK-u ka adresuar kërkesat drejt Qeverisë për të arritur deri te një zgjidhje konkrete

Në vazhdën e diskutimeve në Komisionin e Arsimit, kryetari i Komisionit të Arsimit, Ardian Gola nga radhët e VV-së, ka propozuar që të ndryshohet forma e grevimit.

Propozimet e Golës ishin që fëmijët të kthehen në shkollë derisa të gjendet një zgjidhje përfundimtare dhe të mos vendosen notat për nxënësit si formë e presionit sindikal.

Propozimet e tij kanë mbetur që të shqyrtohen nga anëtarësia e SBAShK-ut.

“Derisa të bëhet një zgjidhje përfundimtare, fëmijët të kthehen në shkollë, të mos vendosen notat dhe jam shumë i sigurt që gjatë ditëve do të gjendet një zgjidhje”, ka deklaruar ai.

Gola ka thënë se presioni sindikal të bëhet ndërmjet mosvendosjes së notave, por fëmijet e mësimdhënësit të kthehen në shkolla.

Ndërsa, SBAShK-u është përgjigjur duke thënë se, edhe nëse lehtësohen presionet e tyre, nuk dihet a do të ketë bindje të Qeverisë.

“Nuk po themi që nuk po e pranojmë, por dua të them se nëse i lehtësojmë presionet sindikale, a do të bindet Qeveria?”, ka thënë SBAShK.