Sezoni 2022 në Formula 1 ishte edicioni i 73-të i botërorit të automobilizimit, një kampionat që u dominua nga “Red Bull” dhe Maks Verstapen. Piloti holandez vendoasi dy rekorde këtë sezon.

Ai u bë piloti i parë në histori që fiton 15 gara brenda një sezoni. Ky rekord mbahej nga dy gjermanët, Sebastian Fetel e Mihael Shumaher, që kishin arritur nga 13 fitore, por me më pak gara.

Një tjetër rekord i vendosur nga holandezi është ai i pikëve të fituara nga një pilot brenda një sezoni. Verstappen u shpall kampion bote, duke grumbulluar 454 pikë. Ai theu rekordin e vendosur në vitin 2019 nga Luis Hamilton, me 413 pikë.

Rekordi i tretë më i rëndësishëm i këtij viti është ai vendosur nga spanjolli Fernando Alonso, që në fund të sezonit arriti kuotën e 356 garave të zhvilluara në Formula 1. Ai përmirësoi rekordin që mbahej nga Kimi Raikonen, me 350 gara. Rekordi i Alonso do të përmirësohet ende, duke qenë se ai do të vijojë të garojë edhe vitin tjetër.