Organizatori i dyshuar i operacionit për heqjen dhe vjedhjen e muralit të artistit britanik me famë botërore Banksy në qytetin ukrainas të Hostomel mund të dënohet me 12 vjet burg nëse shpallet fajtor, njoftoi sot Ministria e Punëve të Brendshme të Ukrainës.
Murali i Banksy i një gruaje të veshur me maskë gazi dhe zjarrfikës u hoq nga një mur në qytetin Hostomel më 2 dhjetor, konfirmuan zyrtarët ukrainas, raporton Reuters.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës, vepra artistike e artistit të njohur britanik vlerësohej në mbi 9 milionë hryvnia (243,900 dollarë).
“Kriminelët tentuan ta transferonin këtë grafit duke përdorur dërrasa druri dhe polietileni. Falë një informate të qytetarëve, ndërhyrjes së policisë dhe forcave të tjera të sigurisë, kriminelët u arrestuan dhe murali u kthye në vendin e vet”, thuhet në njoftimin e policisë.
Banksy ka konfirmuar se ka pikturuar murale në gjashtë qytete të Ukrainës, ku u zhvilluan luftime të ashpra midis forcave ukrainase dhe ruse./euronews.al/