Zyrtarët e Bashkimit Evropian rekomanduan “fuqishëm” të mërkurën që të gjitha shtetet anëtare të insistojnë në teste negative Covid për të gjithë udhëtarët nga kina përpara se të hyjnë në vendet e tyre.
Ndërkohë udhëtimi brenda dhe jashtë Kinës bëhet më i lehtë nga e diela, si pjesë e heqjes së politikës “zero-Covid” edhe pse Kina aktualisht po sheh një rritje të rasteve, prandaj SHBA, Japonia dhe shumë vende në Evropë nxituan të marrin masa për ata që vijnë nga Kina.
Rekomandimi i së mërkurës i BE-së erdhi pasi një numër “dërrmues” i shteteve anëtare favorizuan kufizimet për të gjithë të ardhurit nga Kina.
Kina nga tjetër ka kritikuar ashpër masat nga shtete të ndryshme në mbarë botën dhe ka kërcënuar me kundërmasa kundrejt vendeve të përfshira.
“Ne besojmë se kufizimet e hyrjes të miratuara nga disa vende që synojnë Kinën nuk kanë bazë shkencore dhe disa praktika të tepruara janë edhe më të papranueshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkohë tha të mërkurën se nuk kishte prova të varianteve të reja në Kinë, pavarësisht rritjes së rasteve. Por ekspertët paralajmëruan se kjo mund të jetë për shkak të mungesës së testimit dhe të dhënave të cunguara nga qeveria kineze.